Rëndësia e Groenlandës, ekonomia, Europa, NATO, Kina dhe Rusia, ishin termat kryesore të cilat u përdorën nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump gjatë fjalimit të tij në Samitin e Davosit në Zvicër. Donald Trump, përjashtoi përdorimin e forcës në përpjekjen e tij për të kontrolluar Groenlandën, por tha në një fjalim se asnjë vend tjetër nuk mund ta sigurojë territorin danez.
"Ne kurrë nuk kërkuam asgjë dhe kurrë nuk morëm asgjë. Ndoshta nuk do të marrim asgjë nëse nuk vendos të përdor forcë dhe forcë të tepruar aty ku do të ishim, sinqerisht, të pandalshëm. Por nuk do ta bëj këtë. Kjo është ndoshta deklarata më e madhe që kam bërë, sepse njerëzit menduan se do të përdorja forcë. Nuk kam pse të përdor forcë. Nuk dua të përdor forcë. Nuk do të përdor forcë. E tëra çfarë kërkojnë Shtetet e Bashkuara është një vend i quajtur Groenlandë. Atje ku e kishim tashmë si administrator, por me respekt ia kthyem Danimarkës jo shumë kohë më parë pasi mundëm gjermanët, japonezët, italianët dhe të tjerët në Luftën e Dytë Botërore, ua kthyem atyre”, tha Trump, shkruan A2.
Trump foli me një ton të ashpër, duke qortuar aleatët evropianë të Shteteve të Bashkuara për paturpësinë, pabesinë dhe gabimet e tyre në politika në fusha që variojnë nga energjia e erës dhe mjedisi deri te imigracioni dhe gjeopolitika. Kërcënimet në rritje të Trump ndaj Evropës për Groenlandën kanë prishur lidhjet transatlantike dhe kanë shqetësuar evropianët, duke lënë në hije një fjalim që synonte të përqendrohej kryesisht në ekonominë e SHBA-së. Duke e quajtur Danimarkën "mosmirënjohëse", presidenti republikan i SHBA-së e minimizoi çështjen si një "kërkesë të vogël" mbi një "copë akulli" dhe se një blerje nuk do të përbënte kërcënim për aleancën e NATO-s, e cila përfshin Danimarkën dhe Shtetet e Bashkuara. "Pa ne, mendoj se të gjithë do të flisnit gjermanisht dhe pak japonisht", tha ai. "Pas luftës, ia kthyem Groenlandën Danimarkës. Ishim budallenj. Dhe shikoni sa mosmirënjohës janë danezët".
"Ndoshta edhe ju dhe vendet nga vini mund të bëni shumë më mirë duke ndjekur atë që po bëjmë ne, sepse vende të caktuara në Evropë nuk janë më të njohura. Ato nuk janë më të njohura. Dhe mund të debatojmë për këtë, por nuk ka debat. Miqtë kthehen nga vende të ndryshme, nuk dua të ofendoj askënd dhe të them se nuk e njoh. Dhe kjo nuk është në një mënyrë pozitive. Kjo është në një mënyrë shumë negative. Unë e dua Evropën dhe dua ta shoh Evropën të shkojë mirë, por nuk po shkon në drejtimin e duhur", deklaroi Trump.
Trump vuri në pikëpyetje mbështetjen e aleatëve të NATO-s. "Megjithatë, problemi me NATO-n është se ne do të jemi aty për ta 100 përqind, por nuk jam i sigurt nëse ata do të jenë aty për ne kur t'i thërrasim", tha ai. Trump foli për një skenar në të cilin SHBA-të sulmoheshin "nga ky komb dhe ai komb" dhe kërkoi ndihmë: "Me gjithë atë gjak, djersë dhe lot, nuk e di nëse ata do të ishin aty për ne".
Në fjalimin e tij, ai e quajti luftën në Ukrainë një masakër. "Dhe kjo është ajo që dua t'i jap fund", theksoi Trump. Ai shtoi se do të vazhdojë të konsultohet me Presidentin rus Vladimir Putin dhe se mund të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy më vonë atë ditë.
Në disa raste, gjatë një fjalimi që zgjati më shumë se një orë, Trump gabimisht e quajti Grenlandën, Islandë. Trump, i cili shënoi fundin e një viti të parë të trazuar në detyrë të martën, pritet të eklipsojë axhendën e Forumit Botëror të Ekonomisë, ku elitat globale diskutojnë trendet ekonomike dhe politike. (A2 Televizion)