
Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se do të takohet me Volodymyr Zelenskyn sot, pavarësisht se presidenti ukrainas u tërhoq nga Forumi Ekonomik Botëror në Davos.
Sipas mediave të huaja, lideri i Ukrainës fillimisht kishte thënë se do të udhëtonte për në Zvicër vetëm nëse dokumentet mbi garancitë e sigurisë me SHBA-në dhe një plan prosperiteti ishin gati për t'u nënshkruar atje.
Duke iu drejtuar liderëve botërorë, Trump thotë se po merret me Vladimir Putin dhe Zelenskyn, të cilët të dy sipas tij, duan të bëjnë një marrëveshje paqeje për t'i dhënë fund luftës gati katërvjeçare.
Më pas ai i tha Forumit Ekonomik Botëror se do të takohet me Zelenskyn sot, duke shtuar se “ata duhet ta ndalojnë atë luftë”, shkruan A2 CNN.
Kujtojmë se pavarësisht përpjekjeve për gjetjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, një marrëveshje armëpushimi ende nuk është arritur. (A2 Televizion)