
Votuesit italianë hodhën poshtë një reformë të rëndësishme gjyqësore të mbështetur nga kryeministrja Giorgia Meloni, duke i dhënë një goditje koalicionit të saj të krahut të djathtë përpara zgjedhjeve të përgjithshme të vitit të ardhshëm, raporton A2CNN.
Me shumicën e fletëve të votimit të numëruara pas referendumit të 22-23 marsit, blloku “Jo” i mbështetur nga opozita mori pothuajse 54% të votave kundrejt 46% që miratuan përpjekjen e qeverisë për të rishkruar Kushtetutën dhe për të rindërtuar gjyqësorin.
Votimi i sotëm nënkupton që gjyqtarët dhe prokurorët mund të kalojnë nga një rol në tjetrin. Nëse do të kishte fituar vota "Po", karrierat do të ndaheshin plotësisht.
“Italianët kanë vendosur dhe ne e respektojmë këtë vendim”, tha Meloni në një mesazh të postuar në rrjetet sociale.
“Padyshim, na vjen keq për këtë mundësi të humbur për të modernizuar Italinë, por kjo nuk e ndryshon angazhimin tonë për të vazhduar të punojmë seriozisht dhe me vendosmëri për të mirën e kombit”, shtoi ajo, duke sqaruar se nuk kishte ndërmend të jepte dorëheqjen.
Pjesëmarrja në votime ishte shumë më e lartë se sa pritej, në gati 60%, me votuesit që me sa duket u energjizuan nga një fushatë e ashpër që nxori në pah armiqësinë e thellë midis koalicionit të krahut të djathtë dhe magjistratëve të Italisë, që do të lërë plagë të qëndrueshme.
Rreth 50 magjistratë u mblodhën në gjykatën e qytetit jugor të Napolit për të ndjekur numërimin dhe nisën të këndonin himnin antifashist të rezistencës "Bella Ciao" kur u bë e qartë se qeveria kishte humbur. Humbja ia hoqi Melonit aureolën e të qenit fituese në sytë e elektoratit italian, pas katër vitesh fitoresh në një sërë sondazhesh lokale dhe kombëtare. (A2 Televizion)