![]()
Rusia dhe Vietnami kanë nënshkruar një marrëveshje ndërqeveritare për bashkëpunim në ndërtimin e centralit bërthamor Ninh Thuan 1 në Vietnam, njoftoi kompania shtetërore ruse Rosatom.
Vietnami ka nevojë të sigurojë më shumë energji elektrike, pasi është përballur me ndërprerje të mëdha të energjisë. Kjo ndodh sepse kërkesa nga sektori i tij i madh industrial dhe klasa e mesme në rritje shpesh tejkalon furnizimin, i cili është vënë nën presion edhe nga fenomenet ekstreme të motit si thatësirat dhe tajfunet.
Ky projekt është pjesë e strategjisë së Vietnamit për të rritur kapacitetin e prodhimit të energjisë. Vietnami, i udhëhequr nga sistemi komunist, tradicionalisht ka mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë.
Rosatom, një nga ndërtuesit kryesorë të centraleve bërthamore në botë, tha se marrëveshja përcakton kushtet dhe fushat kryesore të bashkëpunimit për zbatimin e projektit të ndërtimit. Nuk janë dhënë detaje mbi koston.
Marrëveshja parashikon ndërtimin e dy njësive energjetike të projektuara nga Rusia, me një kapacitet të kombinuar prej 2,400 megavatësh (MW).
Punimet për centralet bërthamore në Vietnamin qendror kishin nisur në fillim të viteve 2010, por u pezulluan në vitin 2016, kur Hanoi ndaloi programin bërthamor për shkak të shqetësimeve për sigurinë dhe kostot. Rusia kishte marrë më herët projektin Ninh Thuan 1 dhe pritej të nënshkruante marrëveshjen.
Pas rifillimit të programit bërthamor në vitin 2024, Vietnami i kërkoi Japonisë dhe Rusisë të zbatonin projektet, por në dhjetor, Tokio vendosi të tërhiqet nga planet për ndërtimin e një centrali bërthamor në vend.
(A2 Televizion)