
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi se inteligjenca ushtarake ukrainase ka prova “të pakundërshtueshme” se Rusia po i ofron informacione të inteligjencës Iranit.
Pas një takimi me drejtuesin e inteligjencës ushtarake, Zelensky tha se Moska po ndihmon Teheranin përmes kapaciteteve të saj të avancuara teknologjike.
“Rusia po përdor aftësitë e inteligjencës së sinjaleve dhe inteligjencës elektronike, si dhe të dhëna të siguruara përmes bashkëpunimit me partnerë në Lindjen e Mesme”, u shpreh ai në një postim në rrjetin social X.
Deklarata e presidentit ukrainas vjen në një moment tensioni të shtuar në rajon, mes konfliktit në Lindjen e Mesme dhe luftës në Ukrainë.
Ndërkohë, Kremlini ka mohuar akuzat. Javën e kaluar, Rusia hodhi poshtë një raport të The Wall Street Journal, i cili pretendonte se Moska po ndante imazhe satelitore dhe teknologji të avancuar dronësh me Iranin, duke i cilësuar këto si “lajme të rreme”.
Këto zhvillime rrisin shqetësimet për një bashkëpunim më të ngushtë ushtarak mes Rusisë dhe Iranit, me pasoja të mundshme për sigurinë rajonale dhe globale. (A2 Televizion)