
Izraeli ka goditur kryeqytetin libanez, Bejrut, për herë të dytë që nga fillimi i armëpushimit muajin e kaluar.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se sulmi rreth orës 14:00 u krye në një "mënyrë të synuar", por nuk dhanë detaje. Mediat izraelite cituan burime të paidentifikuara se objektivi i sulmit kishte qenë kreu i një milicie iraniane.
Izraeli e kishte kursyer Bejrutin me kërkesë të presidentit të SHBA-së Donald Trump dhe sulmi,sipas IDF, erdhi pas valëve të sulmeve izraelite që synonin infrastrukturën e Hezbollahut në Libanin jugor.
Si Izraeli ashtu edhe Hezbollahu - grupi i fuqishëm shiit i mbështetur nga Irani, e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të përsëritura të armëpushimit.
Tymi i dendur u pa duke u valëvitur mbi ndërtesat e banimit në Dahieh, periferia shiite me popullsi të dendur që shërben si fortesë e Hezbollahut në kryeqytet, pas sulmit të fundit izraelit.
Banorët mund të dëgjoheshin duke u bërë thirrje fqinjëve dhe të afërmve për të kontrolluar sigurinë e tyre, ndërsa ekipet e shpëtimit nxituan të vinin.
Sipas mediave izraelite, objektivi i sulmit ishte Ali al-Husni, kreu i forcës raketore në Divizionin Imam Hossein - një milici iraniane e lidhur me Hezbollahun.
Sulmet erdhën pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu njoftoi një zgjerim të një operacioni tokësor pas sulmeve me dronë të Hezbollahut ndaj trupave që pushtuan një pjesë të Libanit jugor dhe ndaj civilëve në Izraelin verior.
Të mërkurën, IDF u bëri thirrje banorëve të zhvendosen në veri të lumit Zahrani, rreth 40 km nga kufiri izraelit, duke thënë se do të vepronin “me forcë ekstreme”.
Të paktën 11 persona u vranë në dy grupe sulmesh ajrore izraelite që goditën Tirin dhe një zonë në lindje të qytetit herët të enjten, sipas ministrisë libaneze të shëndetësisë. (A2 Televizion)