
Aktivistët pro-palestinezë thonë se të paktën 22 anije nga një flotilje që transportonte ndihma për Gazën janë ndaluar nga forcat izraelite në ujëra ndërkombëtare pranë ishullit grek të Kretës, shkruan A2CNN.
Organizatorët nga Global Sumud Flotilla dënuan këtë si akt “piraterie”. Ata thanë se personat në bord janë ndaluar në mënyrë të paligjshme, rreth 965 km larg Gazës, e cila është nën një bllokadë detare izraelite.
“Kjo është pirateri. Një pretendim se Izraeli mund të veprojë me pandëshkueshmëri të plotë, shumë përtej kufijve të tij, pa pasoja,” thuhej në një deklaratë.
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se rreth 175 aktivistë nga më shumë se 20 anije janë ndaluar dhe po transportohen drejt Izraelit. Ajo e cilësoi flotiljen si një marifet për vëmendje mediatike.
Të dhënat e gjurmimit tregojnë se shumica e 36 anijeve të mbetura në flotilje po lundrojnë pranë bregdetit jugperëndimor të Kretës.
Flotilja u nis dy javë më parë, me gjithsej 58 anije që u bashkuan nga Spanja, Franca dhe Italia, me synimin për të thyer bllokadën e Izraelit ndaj Gazës. (A2 Televizion)