
Presidenti i Libanit, Joseph Aoun, ka theksuar nevojën për të ushtruar presion ndaj Izraelit që të respektojë ligjin ndërkombëtar dhe të “ndalë shënjestrimin e civilëve, personelit mjekësor, mbrojtjes civile dhe organizatave humanitare, shëndetësore dhe të ndihmës”, sipas Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të Libanit (NNA).
Aoun i bëri këto komente gjatë një takimi me një delegacion nga International Federation of Red Cross and Red Crescent Societies, ku tha se Izraeli po vazhdon të shkelë armëpushimin në jug të Libanit, duke shkatërruar shtëpi dhe vende kulti, ndërsa numri i të vrarëve dhe të plagosurve po rritet, përcjell A2CNN.
“Sulmet nuk kursejnë as personelin mjekësor dhe vullnetarët, me rreth 17 mjekë nga Kryqi i Kuq Libanez dhe organizata të tjera humanitare që janë vrarë deri më tani, përveç shënjestrimit të gazetarëve,” tha ai.
“Puna që bëjnë vullnetarët për të shpëtuar të plagosurit përfaqëson sakrificën më të lartë dhe vetëmohimin në shërbim të misionit humanitar në të cilin besojnë, deri në pikën e martirizimit, pavarësisht faktit se misionet e shpëtimit që ata ndërmarrin raportohen paraprakisht për të siguruar mbrojtjen e tyre.” (A2 Televizion)