Konsultimet për datën e zgjedhjeve, PL refuzon ftesën e Begajt: Emergjencë dhuna ndaj të rinjve në protestë  

Nga A2 CNN
30 Tetor 2026, 09:30 | Politikë

Konsultimet për datën e zgjedhjeve, PL refuzon ftesën e Begajt:

Partia e Lirisë ka refuzuar ftesën e Presidentit Bajram Begaj, për konsultime lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.

Tedi Blushi, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, argumenton se konsultimi është i papërshtatshëm në kushtet kur vendi po përballet me protesta të studentëve dhe gjimnazistëve, si dhe me atë që ai e cilëson si dhunë shtetërore ndaj protestuesve.

“Shqipëria po përballet me një krizë të rëndë të lirive dhe të drejtave themelore, ndërsa dhuna ndaj të rinjve dhe represioni ndaj pluralizmit politik e bëjnë të domosdoshëm reagimin e institucioneve kushtetuese. Përballë kësaj emergjence kushtetuese dhe kombëtare, përgjegjësia e institucionit të Presidentit të Republikës nuk mund të kufizohet në konsultime formale, por duhet të përqëndrohet në qëndrime të qarta, akte dhe veprime konkrete në mbrojtje të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe lirive dhe të drejtave themelore të qytetarëve. Fatkeqësisht, institucioni i Presidentit të Republikës nuk e ka përmbushur rolin e tij kushtetues, veçanërisht përballë dhunës shtetërore ndaj studentëve, gjimnazistëve dhe qytetarëve që ushtrojnë të drejtën e tyre për të protestuar”, thuhet në pergjigjen drejtuar Begajt.

Po ashtu Blushi kërkon nga Presidenti të mos e kthejë procesin në një procedurë që, sipas tij mund të përdoret për qëllime propagandistike nga qeveria dhe kryeministri Edi Rama.

“Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës”.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos