Izraeli sulmoi Iranin, reagimet e udhëheqësve europianë

Nga A2 CNN
13 Qershor 2025, 13:15 | Bota

Izraeli sulmoi Iranin, reagimet e udhëheqësve europianë

Pas sulmeve ajrore të Izraelit ndaj objektivave në Iran, udhëheqësit më të lartë europianë kanë reaguar me shqetësim të thellë dhe kanë bërë thirrje për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit, shkruan A2 CNN.

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi situatën si “thellësisht alarmante” dhe theksoi nevojën për përmbajtje maksimale nga të gjitha palët. “Europa i bën thirrje të gjitha palëve të përmbahen, të de-përshkallëzojnë menjëherë dhe të shmangin çdo lloj hakmarrjeje. Një zgjidhje diplomatike është më urgjente se kurrë, për hir të stabilitetit të rajonit dhe sigurisë globale”, shkroi ajo në rrjetet sociale.

Kancelari gjerman Friedrich Merz u shpreh se është njoftuar personalisht nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu për operacionin ushtarak. Ai u bëri thirrje të dyja palëve të mos ndërmarrin hapa që mund të çojnë në destabilizimin e mëtejshëm të rajonit. “Gjermania është e gatshme të përdorë të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion për të ndikuar në palët e konfliktit”, deklaroi ai. Merz theksoi gjithashtu se objektivi kryesor duhet të mbetet parandalimi i Iranit nga zhvillimi i armëve bërthamore.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun izraelit, ku i ka kërkuar shmangie të përshkallëzimit. Ai shtoi se do të përsërisë të njëjtën kërkesë edhe gjatë bisedës me ministrin iranian më vonë gjatë ditës. “Do të këmbëngul për mbështetjen e rrugës diplomatike”, u shpreh Tajani për SKY TG24. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos