
Izraeli goditi objektet bërthamore të Iranit herët në mëngjesin e së premtes, duke rrezikuar të përshkallëzojë konfliktin në Lindjen e Mesme në një përplasje më të gjerë rajonale. Ja se si u rritën tensionet javët e fundit, deri në momentin kur sulmet ndodhën në orët e para të agimit:
Shenjat e para: Në fund të majit, SHBA mori informacione të reja të inteligjencës që sugjeronin se Izraeli po përgatitej të godiste objektet bërthamore të Iranit, edhe pse administrata e Presidentit Donald Trump po përpiqej të arrinte një marrëveshje diplomatike me Teheranin, sipas disa zyrtarëve amerikanë të njohur me zhvillimet e fundit, shkruan A2 CNN.
Të mërkurën, SHBA urdhëroi tërheqjen e shumë pjesëtarëve jo-thelbësorë të personelit diplomatik dhe familjarëve të tyre nga disa zona të Lindjes së Mesme. Autoritetet nuk dhanë një arsye të qartë për këtë veprim, por një zyrtar i mbrojtjes tha se Komanda Qendrore e SHBA po monitoronte “rritjen e tensioneve në Lindjen e Mesme". Presidenti Trump tha se personeli po largohej “sepse mund të bëhet një vend i rrezikshëm, dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë".
Të enjten, agjencia ndërkombëtare e OKB-së për energjinë atomike miratoi një rezolutë ku e akuzonte Iranin për shkelje të detyrimeve të traktatit për mos-përhapjen e armëve bërthamore. Në kundërpërgjigje, Teherani njoftoi hapjen e një qendre të re për pasurimin e uraniumit, duke paralajmëruar se “nuk kishte tjetër zgjidhje përveçse të reagonte".
Uraniumi është një lëndë djegëse bërthamore që, kur pasurohet në shkallë të lartë, mund të përdoret për të ndërtuar një bombë. Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka qëllime paqësore.
Po të enjten, Trump tha se një sulm izraelit ndaj Iranit “mund të ndodhë shumë shpejt", duke paralajmëruar për një “konflikt të madh” që mund të shpërthejë në Lindjen e Mesme “së shpejti.”
Të premten, Izraeli goditi. Sulmet prekën dhjetëra pika brenda Iranit, duke pasur në shënjestër programin bërthamor dhe kapacitetet raketore me rreze të gjatë veprimi, sipas një zyrtari ushtarak izraelit dhe një burimi tjetër ushtarak nga Izraeli. “Ky nuk është një sulm njëditor", tha burimi ushtarak për CNN.
Fundjava: Të dielën, ishte planifikuar që Irani dhe SHBA të zhvillonin bisedime në Oman për programin bërthamor të Teheranit, në kuadër të disa raundeve të negociatave. Nuk është ende e qartë nëse këto bisedime do të zhvillohen pas sulmeve.
(A2 Televizion)