“Çfarë filloi në Gaza, duhet të përfundojë në Gaza”. Ishte ky mesazhi i fuqishëm që lëshoi kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, teksa adresoi pakënaqësitë në rritje brenda vendit për angazhimin e dhjetëra mijëra rezervistëve nën armë, shkruan A2 CNN. Shefi i qeverisë së luftës, theksoi rëndësinë e pushtimit të qytetit të Gazës, si një hap drejt fitores së plotë.
“Po veprojmë për të mposhtur Hamasin, por gjatë rrugës kemi marri arritje të mrekullueshme pasi kemi thyer boshtin Iranian, në Gaza, në Liban me Hezbollahun, me regjimin e Asadit që u shemb, me vetë Iranin që na kërcënonte ekzistencën tonë, kërcënim të cilin e eliminuam së bashku, dhe tani gjithashtu edhe kundër militantëve Huthi”, tha ai.
Megjithatë presioni popullor ndaj Netanjahut nuk është pakësuar. “Dita e trazirave”, siç është pagëzuar dita e protestave kombëtare në Izrael për lirimin e pengjeve, solli shqetësime për kryeministrin, pasi manifestuesit i vunë zjarrin disa koshave të mbeturinave pranë rezidencës së Benjamin Netanyahut në Jerusalem. Në mënyrë simbolike, ata krijuan një “unazë zjarri” përreth banesës. Përtej protestave në tokë, Izraeli nuk gjen qetësi as në ajër. Ushtria e shtetit hebre ka rrëzuar një raketë balistike të lëshuar nga militantët Hodhi nga territori i Jemenit. Gjithashtu misioni paqeruajtës i Kombeve të Bashkuara në Liban, akuzon forcat izraelite se ka kryer një ndër sulmet më të ashpra kundër personelit të tij, që prej armëpushimit të nëntorit të kaluar. (A2 Televizion)