Një ditë e re agon në Rripin e Gazës për të zbardhur tragjedinë e radhës. Të paktën 19 persona, përfshirë katër gazetarë, u vranë në një sulm ushtarak izraelit me një dron kamikaz që shënjestroi kompleksin spitalor Nasser në Khan Younis, në jug të enklavës.
Mes viktimave janë një fotograf nga agjencia e lajmeve Reuters dhe një reporter nga transmetuesi amerikan NBC. Fotoreporteri i Reuters, raporton Al Jazeera, ishte Hossam al-Masri, ndërsa reporteri i NBC quhej Moaz Abu Taha. Dy viktimat e tjera janë fotoreporteri i Al Jazeera Mohammed Salama dhe Mariam Abu Daqa, një gazetare që punoi për disa media, përfshirë Independent Arabic dhe Associated Press.
Njëmbëdhjetë persona, përfshirë dy fëmijë, kanë vdekur nga kequshqyerja në 24 orët e fundit, raportoi Ministria e Shëndetësisë e enklavës, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga uria dhe kequshqyerja në 300, përfshirë 117 fëmijë.
“Ekziston një marrëveshje për pengjet në tryezë, ne duhet ta pranojmë atë”. Këtë e konfirmoi shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes Izraelite, Gjenerali Eyal Zamir, gjatë një vizite në bazën detare të Haifës, siç raportohet nga The Times of Israel.
Ai shtoi më pas se “IDF ka krijuar kushtet për një marrëveshje, tani çështja është në duart e Netanyahut”. Por ky i fundit ka në duar çështje të tjera. “Kushdo që na sulmon, ne do ta sulmojmë. Unë besoj se i gjithë rajoni po mëson forcën dhe vendosmërinë e Izraelit”, tha kryeministri Benjamin Netanyahu, pasi pa sulmet ajrore izraelite kundër rebelëve jemenas.
“Regjimi terrorist Huthi po mëson se do të paguajë dhe po paguan një çmim shumë të lartë për agresionin e tij kundër Izraelit”, shtoi më tej kreu i qeverisë. Kundërsulmi erdhi pasi Huthët lëshuan një raketë të re në drejtim të shtetit hebre. (A2 Televizion)