Rrezikuan gjatë lundrimit, Policia u vjen në ndihmë turistëve në Sarandë dhe Palasë

Nga A2 CNN
25 Gusht 2025, 19:21 | Kronikë

Rrezikuan gjatë lundrimit, Policia u vjen në ndihmë

Policia Kufitare e Vlorës u ka ardhur në ndihmë disa pushuesve në Sarandë dhe Palasë që rrezikuan të mbyteshin gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se në të dy rastet, personat që rrezikonin ishin turistë të huaj, shkruan A2 CNN.

Po ashtu blutë bëjnë të ditur se turistët janë shoqëruar të sigurt drejt bregut të detit dhe gjendja shëndetësore e tyre është e mirë.

Njoftimi i Policisë:

DRKM Vlorë-Policia Kufitare Vlorë u shkoi në ndihmë disa pushuesve që u rrezikuan gjatë lundrimit me mjetet e tyre lundruese, në Sarandë dhe në Palasë.

Pas marrjes së njoftimeve në kohë reale, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë me mjetet e tyre lundruese dhe bënë të mundur ndihmën dhe shoqërimin e sigurt të turistëve dhe mjeteve lundruese drejt bregut.

Sarandë

Pas marrjes së njoftimit se, rreth një milje larg Gjirit të Sarandës, kapiteni i një jahti me flamur maltez kërkonte ndihmë pasi mjeti i tij lundrues kishte pësuar defekt dhe kishte marrë ujë, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e kapitenit në mënyrë të sigurt në breg dhe rimorkimin e jahtit në Portin e Limionit.

Palasë

Pas marrjes së njoftimit se, në zonën e Shën Andreut, disa turistë që ndodheshin në bordin e një mjeti lundrues po rrezikoheshin për shkak të kushteve të vështira të detit, shërbimet e Policisë Kufitare ndërhynë menjëherë dhe bënë të mundur shoqërimin e turistëve në mënyrë të sigurt në breg dhe ankorimin e mjetit të tyre lundrues në molin e Palasës.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe profesional të strukturave të Policisë Kufitare, u shmangën pasojat e rrezikshme për jetën e pushuesve dhe u garantua siguria e mjeteve lundruese.

Policia Kufitare Vlorë mbetet e angazhuar 24/7 për garantimin e sigurisë së jetës së pushuesve dhe fton qytetarët që, në çdo rast emergjence në det, të telefonojnë menjëherë në numrin 112. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos