Pasditen e sotme një zjarr ka përfshirë pyllin me pisha në zonën e hidrovorit, pranë lagunës së Nartës. Nga pamjet, tymi i dendur ka mbuluar të gjithë zonën, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Vlorës me 7 punonjës, të cilët po punojnë për izolimin dhe shuarjen e flakëve, shkruan A2 CNN.
Aktualisht në operacionin për vendosjen në kontroll të kësaj vatre, përveç ekipeve në terren po angazhohen dhe 4 helikopterë, të cilët po operojnë nga Baza Ajrore e Kuçovës.
Forca Ajrore do të vazhdojë monitorimin e zonës nëpërmjet dronëve TB-2 për identifikimin e vatrave të reja potenciale ose për të evidentuar raste të zjarrëvënies së qëllimshme.
Fatmirësisht, pasditja nuk shoqërohet me erë të fortë, gjë që ka ndihmuar në frenimin e përhapjes së zjarrit. Aktualisht, vatrat janë të izoluara, dhe nuk ka rrezik per perhapje. (A2 Televizion)