Izraeli pretendon eliminimin e një zyrtari të lartë të inteligjencës iraniane

Nga A2 CNN
20 Mars 2026, 15:30 | Bota

Ushtria e Izraelit ka njoftuar se ka vrarë një zyrtar të lartë të Ministrisë së Inteligjencës së Iranit gjatë një sulmi ajror në Teheran.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetet sociale, autoritetet ushtarake izraelite bënë të ditur se operacioni është kryer dy ditë më parë nga forcat ajrore, pas një operacioni të përbashkët inteligjence që përfshinte shërbimet ushtarake, Mossad dhe Shin Bet.

Sipas deklaratës, objektivi i sulmit ishte Mehdi Rostami Shamastan, i cilësuar si një figurë kyçe në aparatin e inteligjencës iraniane dhe i përfshirë në aktivitete të rëndësishme operative.

Autoritetet izraelite pretendojnë se eliminimi i tij përbën një goditje të rëndësishme ndaj kapaciteteve të inteligjencës së Iranit, në një moment kur tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm.

Megjithatë, ky pretendim nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur dhe deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Irani lidhur me ngjarjen.

Sulmi vjen në një kohë kur përplasjet mes Izraelit dhe Iranit janë intensifikuar, me raportime të vazhdueshme për goditje ndaj objektivave ushtarake, infrastrukturës strategjike dhe figurave të rëndësishme të sigurisë.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se operacione të tilla synojnë dobësimin e rrjetit të inteligjencës dhe komandës së Iranit, ndërsa rrisin rrezikun e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos