Gaza është tronditur nga një sulm i befasishëm i ushtrisë izraelite. Raketat e IDF kanë goditur një spital në Gaza e cila ka lënë të vdekur pesë persona, duke përfshirë një udhëheqës politik të Hamasit. Mjekët palestinezë dhe Hamasi thanë, sulmi izraelit kishte në shënjestër një figurë kyçe të grupit militant.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha se sulmi goditi departamentin e kirurgjisë në spitalin Nasser në Khan Younis. Hamasi bëri të ditur se një anëtar i zyrës së tij politike, Ismail Barhoum, ishte vrarë.
Ministri i mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, konfirmoi se objektivi ishte Barhoum.
Mediat pranë Hamasit thanë se Barhoum po trajtohet në spital për plagët e marra në një sulm të mëparshëm. Izraeli thotë se Hamasi strehohet sistematikisht në spitale, shkolla dhe strehimore, gjë që grupi e mohon.
Pas dy muajsh qetësie relative në luftë, banorët e Gazës janë arratisur përsëri për të shpëtuar jetën e tyre pasi Izraeli në fakt braktisi armëpushimin, duke nisur një fushatë të re ajrore dhe tokësore të martën kundër Hamasit. Një lider tjetër në Hamas, Salah al-Bardaëeel, u vra në një sulm në Khan Younis, tha Hamasi më herët. Të dy Bardaweel dhe Barhoum ishin anëtarë të organit vendimmarrës 19 anëtarësh të Hamasit, zyrës politike, 11 prej të cilëve janë vrarë që nga fillimi i luftës në fund të vitit 2023, sipas burimeve të Hamasit.
Shpërthimet bënë jehonë në të gjithë pjesën veriore, qendrore dhe jugore të Rripit të Gazës mëngjesin e së hënës, ndërsa avionët izraelitë goditën objektivat në ato zona në atë që dëshmitarët thanë se ishte një përshkallëzim i sulmeve që filluan në fillim të javës. (A2 Televizion)