Izraeli vijon sulmet në Rripin e Gazës dhe vret 16 palestinezë, SHBA bombardon Jemenin

Nga A2 CNN
24 Mars 2025, 08:00 | Bota

Izraeli vijon sulmet në Rripin e Gazës dhe vret 16 palestinezë,

Bombardimet e pamëshirshme nga Izraeli në Rripin e Gazës vazhdojnë, me të paktën 16 palestinezë të vrarë në sulmet gjatë natës deri në orët e para të mëngjesit. Dy prej tyre vdiqën në një sulm ajror në kampin e refugjatëve Nuseirat në Gazën qendrore, ndërsa disa vdekje janë raportuar në një sulm të IDF në Khan Younis, në jug të Gazës, raporton A2 CNN.

Sulmi i ri vjen disa orë pasi forcat izraelite bombarduan Spitalin Nasser në Gaza, duke vrarë të paktën dy persona, përfshirë liderin e Hamasit, Ismail Barhoum.

Pamjet e verifikuara nga Al Jazeera, tregojnë shkatërrime të mëdha në repartin e kirurgjisë për meshkuj të objektit, duke përfshirë tavanet e shembur, dyert dhe muret e rrënuara dhe dyshemetë e mbuluara me mbeturina, shkruan A2 CNN.

Ndërkohë sulmet ajrore amerikane kanë goditur dy zona në Jemen, duke përfshirë një lagje me popullsi të dendur në kryeqytetin, Sanaa, duke vrarë të paktën një person dhe duke plagosur 15 të tjerë, përcjell A2 CNN.

Ndërkaq Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio zhvilloi një bisedë telefonike me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu për të përsëritur mbështetjen e Amerikës për Izraelin. Këtë e ka bërë të ditur përmes një shënimi Departamenti Amerikan i Shtetit. Sekretari diskutoi për operacionet e vazhdueshme ushtarake izraelite në Gaza dhe përpjekjet për të ndihmuar në lirimin e pengjeve dhe për t'i sjellë ata në shtëpi.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës thotë se të paktën 50,021 palestinezë janë konfirmuar të vdekur dhe 113,274 të plagosur në luftën e Izraelit në Gaza. Zyra e Mediave të Qeverisë së Gazës përditësoi  numrin e saj të të vdekurve në më shumë se 61,700, duke thënë se mijëra palestinezë të zhdukur nën rrënoja supozohen të vdekur.

Të paktën 1,139 njerëz u vranë në Izrael gjatë sulmeve të udhëhequra nga Hamasi më 7 tetor 2023 dhe më shumë se 200 u zunë robër. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos