Dhjetëra mijëra protestues kanë marrë pjesë në protestat që kanë përfshirë të gjithë Turqinë, pasi rivali kryesor i presidentit të vendit Rexhep Tajip Erdogan u arrestua dhe u akuzua për korrupsion. Ekrem Imamoglu, kryebashkiaku i Stambollit, do të zgjidhej si kandidati presidencial i Partisë Popullore Republikane (CHP) për vitin 2028 në një votim të dielën.
Në përgjigje të arrestimit të tij, të dielën në mbrëmje u pa një rritje e trazirave më të këqija që vendi ka parë në më shumë se një dekadë, me protestues të qëlluar me gaz lotsjellës dhe plumba gome, raporton A2 CNN.
Imamoglu tha se akuzat kundër tij janë të motivuara politikisht. “Nuk do të përkulem kurrë”, shkroi ai në X para se të lihej në paraburgim.
Erdogan ka dënuar demonstratat dhe ka akuzuar CHP-në se po përpiqet të "turbullojë paqen dhe të polarizojë popullin tonë".
Turmat u mblodhën pranë bashkisë së Stambollit në mbrëmjen e së dielës në natën e pestë të protestave dhe mund të shiheshin duke valëvitur flamujt turq, duke brohoritur përpara një rreshti të policisë, shkruan A2 CNN.
Oficerët u panë duke gjuajtur me topa uji ndaj disa protestuesve dhe duke përdorur sprej piper.
Gruaja e Imamoglu, Dilek Kaya Imamoglu iu drejtua turmave të mëdha jashtë bashkisë, duke u thënë demonstruesve se "padrejtësia" me të cilën është përballur i shoqi "ka goditur çdo ndërgjegje".
Protestat në përgjigje të arrestimit të Imamoglu janë më të mëdhatë që ka parë vendi që nga protestat e Gezi të vitit 2013, të cilat filluan në Stamboll për prishjen e një parku lokal, përcjell a2 CNN.
Në total, tubime u zhvilluan në të paktën 55 nga 81 provincat e Turqisë, ose më shumë se dy të tretat e vendit, sipas një raporti nga agjencia franceze e lajmeve AFP.
Imamoglu ishte një nga më shumë se 100 personat, përfshirë politikanë të tjerë, gazetarë dhe biznesmenë, të arrestuar si pjesë e një hetimi të mërkurën.
Ai u arrestua zyrtarisht të dielën dhe u akuzua për "krijim dhe drejtim të një organizate kriminale, marrje ryshfeti, zhvatje, regjistrim të paligjshëm të të dhënave personale dhe manipulim tenderi".
Ai është lënë në paraburgim në pritje të gjykimit. AFP dhe media lokale raportuan se ai ishte dërguar në një burg në Silivri.
Imamoglu është pezulluar gjithashtu nga posti i tij si kryetar bashkie, tha në një deklaratë ministria e brendshme e Turqisë. (A2 Televizion)