
Presidenti i SHBA-së, ka përdorur gjuhë të fortë ndaj Iranit, ku ndër të tjera, tha se shpreson që ekonomia iraniane të dështojë, sepse “dua të fitoj”.
“Ajo po dështon. Ne kemi sanksione ndaj tyre, sanksione të jashtëzakonshme. [Sekretari i Thesarit] Scott Bessent ka bërë një punë të shkëlqyer. Kemi sanksione që askush nuk i ka parë ndonjëherë më parë,” tha Trump.
Trump shtoi se monedha e Iranit tani është “pa vlerë” dhe pretendoi se nivelet e inflacionit janë “ndoshta 150 për qind”.
“Ata duhet të bëjnë gjënë e mençur, sepse ne nuk duam të hyjmë dhe të vrasim njerëz,” pretendoi ai.
Trump pretendon se Irani do të kishte “marrë kontrollin e Lindjes së Mesme” nëse nuk do të kishte pasur luftën, por tani Teherani po “përpiqet të mbijetojë”.
“Ne kemi një situatë ku kemi kontroll total. Siç e dini, bllokada ka qenë e jashtëzakonshme; është si një copë çeliku. Askush nuk do ta sfidojë bllokadën, dhe mendoj se po funksionon shumë mirë,” tha ai.
Lidhur me sulmin ndaj një anijeje të Koresë së Jugut dje, Trump tha se ajo u qëllua, por po lundronte e vetme dhe nuk ishte pjesë e anijeve që shoqëroheshin nga SHBA, përcjell A2CNN.
“Irani dëshiron të bëjë një marrëveshje. Ajo që nuk më pëlqen te Irani është se ata flasin me mua me shumë respekt, dhe pastaj dalin në televizion dhe thonë: ‘Ne nuk kemi folur me presidentin,’” tha Trump.
“Ata duan të bëjnë një marrëveshje, dhe kush nuk do ta donte kur ushtria jote është krejtësisht e shkatërruar? Ne mund të bëjmë çfarë të duam me ta. Kush nuk do ta donte?!” shtoi ai.
“Ne i mposhtëm shumë keq, tani ata janë reduktuar në varka të vogla me mitralozë në pjesën e përparme të tyre,” tha ai, duke iu referuar Iranit, duke përsëritur një deklaratë që e ka thënë shpesh për shkatërrimin e marinës së tij.
“Të gjitha anijet që kishin janë tani në fund të detit,” shtoi ai.
Për programin bërthamor të Iranit, ai tha: “Janë njerëz të sëmurë, dhe ne nuk do të lejojmë që të çmendurit të kenë armë bërthamore.” (A2 Televizion)