Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka dhënë deklarata të forta përpara nisjes së samitit të radhës të NATO-s, duke theksuar qartë pozicionin e tij kundër përfshirjes së Aleancës në konfliktin në Ukrainë dhe duke minimizuar kërcënimin që përbën Rusia për vendet anëtare të NATO-s.
Gjatë një prononcimi për gazetarët ndërkombëtarë, Orban u pyet nëse Rusia do të përmendet si kërcënim apo kundërshtar në deklaratën përfundimtare të samitit. Kryeministri hungarez u përgjigj prerë: “Mendoj se Rusia nuk është mjaftueshëm e fortë për të përfaqësuar një kërcënim real për ne. Ne jemi shumë më të fortë”, raporton A2 CNN.
Deklarata e tij është në përputhje me qëndrimin tradicional të Budapestit, që ka kërkuar vazhdimisht qasje më të kujdesshme dhe më pak agresive ndaj Kremlinit, duke e theksuar shpesh domosdoshmërinë e ruajtjes së kanaleve diplomatike.
Në vijim, Orban theksoi edhe njëherë qëndrimin e tij kundër përfshirjes së NATO-s në territorin e Ukrainës. “NATO nuk ka punë në Ukrainë. Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, as Rusia. Detyra ime është ta mbaj këtë situatë ashtu siç është”, tha ai.
Këto komente vijnë në një kohë kur Aleanca është në procesin e rishikimit të strategjisë së saj afatgjatë dhe të rolit të saj në Europën Lindore, pas më shumë se tre vitesh lufte në Ukrainë dhe një ambienti sigurie gjithnjë e më të tensionuar.
Deklaratat e Orban pritet të nxisin debat mes anëtarëve të NATO-s, veçanërisht mes atyre që mbështesin një përfshirje më aktive të Aleancës në mbështetje të Ukrainës, si SHBA, Polonia apo vendet baltike, dhe atyre që kërkojnë një qëndrim më neutral.
Kryeministri hungarez është kritikuar shpesh nga partnerët perëndimorë për afërsinë e tij me Moskën dhe për qëndrimet e tij të izoluara brenda bllokut, por ai mbetet i vendosur në qëndrimin e tij, ruajtjen e paqes, mbrojtjen e interesave kombëtare dhe shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit në rajon. (A2 Televizion)