
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka bërë publike rezultatet e luftës kundër kultivimit të kanabisit gjatë vitit 2026, në një konferencë të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanza.
Hita bëri të ditur se gjatë këtij viti janë evidentuar dhe goditur në tentativë kultivimi 132 mijë fidanë kanabisi, nga 17 447 të tillë që u evidentuan gjatë vitit të kaluar.
Sipas tij, në kuadër të operacioneve kundër kultivimit të lëndëve narkotike, janë arrestuar, ndaluar dhe proceduar penalisht 165 persona.
Gjithashtu, për vepra penale që lidhen me shpërdorimin e detyrës dhe moskallëzimin e krimit, janë proceduar 89 kryetarë fshatrash dhe punonjës të OSHEE-së, shërbimit pyjor dhe mjedisit.
Kreu i Policisë theksoi se për kontrollin e territorit janë përdorur edhe 84 dronë, ndërsa bashkëpunimi me Guardia di Finanza është konkretizuar përmes 62 misioneve të fluturimit.
Hita bëri me dije se gjatë vitit 2026 janë goditur gjithashtu 17 raste të kultivimit të kanabisit në ambiente të mbyllura, ndërsa janë finalizuar 31 operacione kundër shitjes së lëndëve narkotike pranë shkollave.
Ai deklaroi se në vitin 2027 fokusi i Policisë do të jetë parandalimi i kultivimit në ambiente të hapura dhe të mbyllura, identifikimi i organizatorëve dhe financuesve, si dhe goditja e rrjeteve të shitjes dhe shpërndarjes së drogës.
"Konkretisht, gjatë vitit 2026, janë finalizuar 31 operacione, gjatë të cilave janë goditur dhjetëra episode të shitjes së lëndëve narkotike në afërsi të perimetrit të sigurisë në shkolla. Ndër to, veçohen operacionet që kanë pasur ndikim të gjerë në qarqet kryesore të vendit, bazuar në sasinë e lëndëve narkotike të sekuestruara dhe numrin e shtetasve të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale për këtë veprimtari kriminale.
Fokusin dhe vëmendjen prioritare gjatë dy muajve të fundit të këtij viti dhe përgjatë vitit të ardhshëm do ta kenë parandalimi dhe goditja në kohë e çdo tentative për të përfshirë të miturit dhe të rinjtë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe për të depërtuar me paligjshmëri në mjediset shkollore.
Ndërkohë, për Policinë e Shtetit, viti 2027 do të vijojë të jetë një sfidë në parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pavarësisht rezultateve pozitive të arritura gjatë viteve të fundit". (A2 Televizion)