Ushtria izraelite ka lëshuar një urdhër evakuimi për banorët në një lagje të Teheranit, përpara se të ndërmarrë sulme të planifikuara ndaj asaj që e quan infrastrukturë ushtarake të regjimit iranian në kryeqytetin e Iranit.
Në një postim në gjuhën perse në platformën X, IDF deklaruan se “do të ndërmarrin veprime në këtë zonë në orët në vijim,” duke theksuar se “prezenca juaj në këtë zonë rrezikon jetën tuaj.”
Zona në fjalë, një nga 21 distriktet e Teheranit, është ndër më të pasurat dhe më të populluarat, ku ndodhen ndërtesa banimi dhe institucione shtetërore, përfshirë selinë e transmetuesit shtetëror Iranian, IRIB (Islamic Republic of Iran Broadcasting), shkruan A2 CNN.
Kjo thirrje vjen në të njëjtën kohë kur ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, deklaroi se “zëdhënësi i propagandës dhe nxitjes iraniane është drejt zhdukjes” dhe se “ka nisur evakuimi i banorëve përreth.” Ende nuk është e qartë nëse ai i referohej Distriktit 3 apo objektit të IRIB.
Situata mbetet e tensionuar, ndërkohë që nuk ka ende konfirmim zyrtar nga autoritetet iraniane për lëvizjet e civilëve apo për ndonjë reagim ushtarak. (A2 Televizion)