Kryeministri Benjamin Netanyahu thotë se Izraeli është drejt fitores së luftës me Iranin. Në një deklaratë për mediat, ai gjithashtu raportoi se ushtria izraelite ka kontroll të plotë mbi qiellin e Teheranit.
“Jemi në rrugën drejt fitores. Jemi në kontroll të qiellit mbi Teheran”, tha Netanyahu. “Jemi në rrugën drejt arritjes së dy objektivave kryesorë, eliminimit të kërcënimit bërthamor dhe atij raketor. Po u themi qytetarëve të Teheranit të evakuohen dhe po ndërmarrim veprime”, shtoi ai, përcjell A2 CNN.
Lufta Izrael-Iran, çfarë ka ndodhur sot?
· Zyrtarët izraelitë thonë se tetë persona janë vrarë gjatë natës nga sulmet e fundit iraniane, ndërsa konflikti mes dy rivalëve rajonalë po hyn në ditën e katërt. Numri total i të vrarëve që nga e premtja ka arritur në 24, sipas zyrës së kryeministrit izraelit dhe raportimeve mediatike.
· Nga ana tjetër, Irani thotë se mbi 200 persona janë vrarë atje që nga fillimi i konfliktit të premten. Ministria e Jashtme iraniane ka sfiduar përshkrimin që i ka bërë Izraeli goditjeve të tij si “të sakta”, duke deklaruar se shumë gra dhe fëmijë janë vrarë në zona të banuara.
· Mediat iraniane raportojnë se një spital në perëndim të vendit është “dëmtuar rëndë” pas një sulmi izraelit të hënën, sipas agjencisë AFP që citoi agjencinë iraniane Tasnim.
· Ministri izraelit i mbrojtjes, Israel Katz, u detyrua të zbusë deklaratat e tij ku kishte paralajmëruar se banorët e Teheranit “do ta paguajnë çmimin” për sulmet iraniane ndaj civilëve izraelitë. Më pas ai deklaroi se Izraeli “nuk ka ndërmend të dëmtojë fizikisht banorët e Teheranit”.
· Presidenti iranian Masoud Pezeshkian deklaroi të hënën se Irani nuk ka qëllim të zhvillojë armë bërthamore, por do të vazhdojë të ndjekë të drejtën për energji dhe kërkime bërthamore, sipas Reuters.
· Një zëdhënës i ushtrisë izraelite ka deklaruar se Izraeli ka “arritur epërsi ajrore mbi Iranin”, sipas AFP. Ushtria izraelite gjithashtu tha se ka shkatërruar “një të tretën” e lëshuesve iranianë të raketave sipërfaqe-tokë, njofton AFP.
· Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së, Rafael Grossi, dha një përditësim të hënën mbi gjendjen e objekteve bërthamore iraniane pas sulmeve izraelite dhe tha se nuk ka shenja të dëmtimeve të mëtejshme në objektet e pasurimit në Natanz apo Fordow.
· Tensionet mes Iranit dhe Izraelit po përshkallëzohen ndërsa udhëheqësit e vendeve të G7-ës pritet të takohen të hënën në malet kanadeze, ku do të përqendrohen në kërkesën ndaj Trump për të shpjeguar bindjen e tij se Izraeli dhe Irani do të arrijnë së shpejti një marrëveshje paqeje.
· Irani i ka kërkuar Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së që të dënojë sulmet izraelite ndaj objekteve bërthamore iraniane në një takim urgjent të hënën, sipas AFP.
· Kina ka bërë thirrje që Irani dhe Izraeli të “marrin menjëherë masa për të ulur tensionet”.
· Irani ka ekzekutuar një burrë të dënuar për spiunazh për agjencinë izraelite të inteligjencës Mossad, raportoi të hënën agjencia gjysmëzyrtare iraniane Fars, sipas Reuters. (A2 Televizion)