Një tjetër skandal trondit familjen mbretërore britanike. Sipas një raportimi të “The Times”, është zbuluar se Princi Andrew nuk ka paguar asnjë qira për 22 vjet për rezidencën e tij madhështore “Royal Lodge” në Windsor, një pronë me 30 dhoma, e cila dikur i përkiste Nënës Mbretëreshë.
Dokumentet e pazbuluara më parë tregojnë se Andrew në vitin 2003 pagoi 1 milion paund për të marrë me qira afatgjatë vilën dhe shpenzoi rreth 7,5 milion paund për restaurime. Sipas kushteve të kontratës, qiraja e tij vjetore është simbolike, duke qenë se ai konsiderohet ta ketë parapaguar me punimet e rikonstruksionit, përcjell A2 CNN. Madje nëse Princi do të largohej nga prona përpara përfundimit të kontratës në vitin 2078, “Crown Estate” do të ishte i detyruar t’i paguante atij rreth gjysmë milioni paund si kompensim.
Ky zbulim ka shkaktuar zemërim publik në Mbretërinë e Bashkuar, pasi konsiderohet një tjetër “privilegj” për djalin e dytë të Mbretëreshës Elizabeth II, i cili prej vitesh është në qendër të polemikave për lidhjet e tij me financierin pedofil Jeffrey Epstein.
Sipas burimeve të “Daily Mail”, Princi Andrew nuk ka marrë ndonjë trashëgimi të rëndësishme as nga Mbretëresha Elizabeth II, as nga Nëna Mbretëreshë. Megjithatë, ai vazhdon të jetojë në luks, ndonëse nuk merr më asnjë ndihmë financiare nga Mbreti Charles III dhe nuk ka të ardhura publike.
Ekspertët mbretërorë vënë në pikëpyetje se si mund ta përballojë jetesën në një pronë që ka shpenzime mirëmbajtjeje prej miliona paundësh në vit, përfshirë stafin dhe sigurinë private që tani e paguan vetë, pasi humbi mbrojtjen policore.
Mbreti Charles, i cili është përpjekur prej kohësh ta bindë vëllain të zhvendoset në një banesë më të vogël (si “Frogmore Cottage”, e zbrazur pas largimit të Princit Harry), besohet se i ka ofruar rikthimin e një page vjetore nëse pranon të largohet nga “Royal Lodge”. Por Andrew, 65 vjeç, refuzon kategorikisht, duke insistuar se ka një kontratë ligjore të pathyeshme.
Situata përkeqësohet edhe për shkak të botimit të një libri të ri nga Virginia Giuffre, viktimë e Epstein, e cila përsërit akuzat se është detyruar të kryejë marrëdhënie me Princin në tre raste, pretendime që ai i mohon.
Ndërkohë, deputetë britanikë kërkojnë miratimin e një ligji të posaçëm për t’i hequr Andrew-t titujt mbretërorë, pasi ai vetëm i dorëzoi vullnetarisht javën e kaluar.
Buckingham Palace e ka hequr tashmë titullin “Duka i York-ut” nga faqja zyrtare, ndërsa ish-bashkëshortja e tij, Sarah Ferguson, ka ndryshuar profilin e saj në rrjetet sociale, duke hequr çdo referencë ndaj titullit “Dukeshë”. Edhe vajzat e tyre, Beatrice dhe Eugenie, janë parë të distancohen publikisht, duke anuluar pjesëmarrjen në një event bamirësie gjatë fundjavës.
“Royal Lodge”, e ndërtuar në shekullin XVIII, ndodhet në zemër të Windsor Great Park dhe për shkak të vendndodhjes dhe sigurisë, nuk mund të jepet lehtësisht me qira në tregun e lirë. Sipas marrëveshjes së vitit 2003, Andrew është i detyruar ta mbajë pronën në gjendje të mirë, gjë që kërkon shpenzime të mëdha që ai duket se nuk mund t’i përballojë. (A2 Televizion)