Më shumë se 2,700 tubime janë duke u zhvilluar në qytetet kryesore të SHBA-së me moton “JO Mbretër” dhe ku kundërshtohet autoritarizmi i Presidentit Donald Trump. "Ne e duam vendin tonë, nuk e tolerojmë Trumpin" thonë protestuesit, ndërsa mbështetësit e tij i cilësojnë këto protesta si një shprehje të "urrejtjes kundër Amerikës".
Demonstratat janë përhapur në të gjithë SHBA-në, nga Nju Jorku në San Francisko, duke parë miliona amerikanë të dalin në shesh kundër kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Në zonën Forest Hills të Nju Jorkut, mijëra njerëz u mblodhën që nga mesdita duke brohoritur: "E duam vendin tonë, nuk do ta tolerojmë Trumpin".
"Ky president është një turp dhe shpresoj që miliona njerëz do të dalin në rrugë sot", tha protestuesja 36-vjeçare Stephanie.
Tubim sipas organizatorëve do të ketë madje edhe pranë rezidencës së Trump në Mar-a-Lago, ku ai kalon fundjavën.
Në mesin e qershorit, dita e parë e demonstratave të organizuara nga organizata ombrellë “No Kings”, e cila përfaqëson rreth 300 organizata, mblodhi miliona demonstrues të të gjitha moshave.
Zyrtarët e Partisë Republikane denoncuan "mobilizimin e urrejtjes antiamerikane", ndërsa kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve deklaroi: "Vë bast se do të shihni mbështetës të Hamasit dhe Antifa-s".
Sakaq, udhëheqësi demokrat i Senatit Chuck Schumer, u bëri thirrje amerikanëve që të bëjnë që zëri i tyre të dëgjohet. "Mos lejoni që Donald Trump dhe republikanët t'ju frikësojnë dhe t'ju heshtin", tha ai. Një thirrje e ngjashme u bë nga kandidatja e mundur demokrate për presidente Kamala Harris, si dhe ylli i Hollivudit Robert De Niro. (A2 Televizion)