Parlamenti i Libanit ka zgjedhur shefin e ushtrisë të mbështetur nga SHBA, si President të vendit, duke i dhënë fund një ngërçi politik shumëvjeçar dhe vakumi presidencial. Shefi i ushtrisë, Joseph Aoun u votua president pas dy raundeve të votimit.
Kjo erdhi pas një përpjekjeje të fuqishme nga Arabia Saudite dhe Shtetet e Bashkuara për të mbledhur mbështetje për Aoun, i cili është afër Uashingtonit dhe Riadit. Libani ka mbetur pa president që nga përfundimi i mandatit të ish-presidentit Michel Aoun, në tetor 2022. Ish-presidenti u mbështet nga Hezbollahu dhe nga Irani.
Negociatat mbi pasardhësin e tij ishin të pasuksesshme, duke rigjallëruar tensionet midis kampeve pro-perëndimore dhe pro-iraniane të vendit. Përpara sesioneve parlamentare të së enjtes, pati 12 përpjekje të dështuara për të zgjedhur një president gjatë dy viteve të fundit. (A2 Televizion)