Kabineti i sigurisë i Izraelit ka rekomanduar që qeveria izraelite "të miratojë skicën e propozuar" të marrëveshjes së armëpushimit, sipas një deklarate nga zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu.
Sipas mediave të huaja, kjo do të thotë se marrëveshja tani duhet të votohet nga kabineti qeveritar.
Takimi për atë votim është planifikuar të fillojë në orën 15:30 me orën lokale, sipas mediave izraelite.
Zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha të premten më herët se nëse marrëveshja miratohet, atëherë armëpushimi do të fillojë të zbatohet nga 19 janari i këtij viti, kur edhe do të lirohen pengjet e para.
Po ashtu, marrëveshja parashikon ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës dhe lirimin e dhjetëra pengjeve që mbahen nga Hamasi në Gazë, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë në Izrael.
Gjithashtu, marrëveshja do të lejojë që qindra mijëra të zhvendosur palestinezë të kthehen në shtëpitë e tyre në Gaza, shkruan A2 CNN. (A2 Televizion)