Kallas thotë se BE-ja pritet ta fusë Gardën Revolucionare të Iranit në listën e organizatave terroriste

Nga A2 CNN
29 Janar 2026, 10:11 | Bota

Kallas thotë se BE-ja pritet ta fusë Gardën Revolucionare të

Bashkimi Evropian (BE) ka shumë gjasa ta përfshijë Gardën Revolucionare Islamike të Iranit në listën e organizatave terroriste, tha të enjten shefja e politikës së jashtme të bllokut, Kaja Kallas, në prag të mbledhjes së Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme.

“Po vendosim sanksione të reja ndaj Iranit dhe gjithashtu pres që ta fusim Gardën Revolucionare Islamike në listën e organizatave terroriste”, tha Kallas.

“Nëse vepron si terrorist, duhet të trajtohesh si terrorist”, u tha diplomatja e lartë Kaja Kallas gazetarëve para takimit të ministrave në Bruksel.

Ajo tha se ky hap e vendos Gardën Revolucionare në të njëjtin nivel me grupet xhihadiste si Al-Kaeda dhe Shteti Islamik.

Ky veprim nga BE-ja do t’i dërgonte Iranit mesazh të fortë dënimi, pasi raportohet se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave që tronditën vendin.

Blloku prej 27 shtetesh pritet gjithashtu të vendosë regjim vizash dhe t’i ngrijë asetet për 21 entitete shtetërore dhe zyrtarë iranianë – përfshirë edhe për ministrin e Brendshëm të vendit - për shkak të shtypjes vdekjeprurëse të protestave.

Autoritetet iraniane e pranojnë se mijëra njerëz janë vrarë gjatë protestave, duke dhënë një shifër prej mbi 3.000 viktimash, por thonë se shumica ishin pjesëtarë të forcave të sigurisë ose kalimtarë të vrarë nga “protestuesit trazues”.

Organizatat për të drejtat e njeriut e kundërshtojnë këtë, duke thënë se numri i viktimave është shumë më i lartë dhe me gjasë kap shifrën e dhjetëra mijërave. Sipas tyre, protestuesit u vranë nga forcat e sigurisë, përfshirë Gardën Revolucionare, të cilat qëlluan drejtpërdrejt mbi protestues.

Garda Revolucionare Islamike e Iranit, apo IRGC, është krahu ideologjik i ushtrisë së Teheranit dhe u krijua pas revolucionit të vitit 1979 për ta mbrojtur udhëheqjen klerikale.

Garda kontrollon ose zotëron kompani në gjithë ekonominë iraniane, përfshirë sektorë strategjikë kryesorë.

“Vlerësimi është se kanalet diplomatike do të mbeten ende të hapura edhe pas përfshirjes së Gardës Revolucionare në listë”, tha Kallas.

IRGC-ja pritet të përfshihet në listën e zezë pasi Franca njoftoi të mërkurën se po e mbështeste këtë hap, dhe pasi edhe Italia e kishte ndryshuar qëndrimin paraprakisht.

Parisi ngurronte ta mbështeste shpalljen e IRGC-së organizatë terroriste për shkak të frikës nga ndikimi mbi evropianët e ndaluar në Iran dhe dëshirës për t’i mbajtur të hapura lidhjet diplomatike.

“Nuk mund të ketë pandëshkueshmëri për krimet e kryera”, u tha gazetarëve kur mbërriti në Bruksel ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot.

BE-ja i ka sanksionuar tashmë disa qindra zyrtarë dhe entitete iraniane për shtypjen e lëvizjeve të mëparshme protestuese dhe për mbështetjen e Teheranit për luftën e Rusisë në Ukrainë.

IRGC-ja si e tërë dhe komandantët e saj të lartë janë tashmë nën sanksione të BE-së, që do të thotë se përfshirja e saj në listën e organizatave terroriste pritet të ketë pak ndikim praktik mbi këtë organizatë./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos