Kapet vrasësi i ligjvënëses amerikane, në makinën listë zyrtarësh për të eliminuar

Nga A2 CNN
16 Qershor 2025, 17:27 | Bota

Kapet vrasësi i ligjvënëses amerikane, në makinën

Ka marrë fund arratia e Vance Luther Boelter, 57 vjeç, i dyshuar për vrasjen e ligjvënëses demokrate të Minnesotës, Melissa Hortman, dhe bashkëshortit të saj, Mark Hortman.

Boelter u arrestua në një zonë pyjore në perëndim të Minneapolis-it pas një ndjekjeje të madhe dyditore, të cilës iu bashkuan forcat speciale dhe helikopterë të policisë.

Sipas autoriteteve, ai u dorëzua pa rezistencë, duke u zvarritur drejt oficerëve të armatosur. Boelter akuzohet për dy vepra penale të vrasjes së shkallës së dytë dhe dy tentativa vrasje, pasi plagosi rëndë edhe senatorin shtetëror demokrat John Hoffman dhe bashkëshorten e tij, Yvette, të cilët mbijetuan pavarësisht se u goditën me 17 plumba.

Boelter, një ish-anëtar i një bordi shtetëror dhe punonjës sigurie me përvojë në Afrikë dhe Lindjen e Mesme, akuzohet gjithashtu për përdorim të identitetit të një oficeri policie gjatë sulmit. Policia gjeti në makinën e tij një listë me emra të shënjestruar, ku sipas mediave vendase përfshiheshin zyrtarë të lartë si guvernatori Walz, kongresistja Ilhan Omar dhe prokurori i përgjithshëm Keith Ellison.

Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes rrezikun në rritje të dhunës politike në SHBA dhe ka nxitur reagime të forta nga zyrtarët shtetërorë e federalë, të cilët kërkojnë një debat të thelluar mbi sigurinë dhe urrejtjen politike në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos