Kërcënime me përplasje ushtarake, Turqia lëshon urdhër arrest ndërkombëtar për Netanjahun

Nga Xhevahir Qardaku
21 Gusht 2026, 18:03 | Bota

Kërcënime me përplasje ushtarake, Turqia lëshon urdhër

Kërcënime dhe lëvizje ushtarako-politike mes Turqisë dhe Izraelit. Autoritetet në Ankara kanë lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar në kokën e kryeministrit Benjamin Netanjahu, si dhe për një shtetas tjetër hebre.

Njoftimi është bërë nga ministri turk i drejtësisë, Akin Gurlek, në sajë të procedimeve që lidhen me krimet e dyshuara në Gaza dhe sulmet kundër aktivistëve të Flotiljes Global Sumud që pretendohet se kanë ndodhur në ujrat ndërkombëtare.  

“Benjamin Netanjahu dhe Afek Moskovitch po gjykohen me akuzat për ‘Krime kundër njerëzimit’, ‘Gjenocid’, ‘Heqje e lirisë së një personi të kualifikuar’, ‘Lëndim i qëllimshëm’, ‘Torturë’, ‘Dëmtim i pronës’, ‘Plaçkitje e kualifikuar’ dhe ‘Rrëmbim i automjeteve të transportit’ në lidhje me ndërhyrjen e armatosur kundër civilëve që shpërndajnë ndihmë humanitare në Gaza në ujërat ndërkombëtare dhe ndalimin e aktivistëve.”

Menjëherë ka ardhur një kundërpërgjigje nga vetë Netanjahu ndaj urdhër arrestit të Turqisë.

“Erdogani është një diktator antisemit që masakroi kurdët, u dha strehim terroristëve të Hamasit, pushtoi gjysmën e Qipros dhe burgosi një numër rekord gazetarësh dhe kundërshtarësh politikë. Tani ai po përpiqet ta zgjerojë agresionin e tij kundër Izraelit në Siri. Izraeli nuk do ta tolerojë këtë. Përpjekja patetike e Erdoganit për të frikësuar udhëheqësit dhe ushtarët e Izraelit, e vetmja demokraci e vërtetë në Lindjen e Mesme, nuk do të ketë sukses.”

Më herët, Netanjahu tha se Izraeli nuk do të toleronte një prani ushtarake turke që lëvizte drejt jugut të Sirisë. “Kjo është kërcënuese për ne”, u shpreh ai. Ndërsa ministri izraelit i mbrojtjes paralajmëroi se sipas tij presidenti Rexhep Tajip Erdogan po e “tërheq Turqinë në aventura të rrezikshme në Siri”. Izraeli goditi bazën ajrore Abu al-Duhur në Siri të martën, duke paralajmëruar se Siria ishte në prag të shkeljes së një “status quo-je të rënë dakord me Izraelin në çështjet e sigurisë” duke lejuar trupat turke të vendosen në bazën ajrore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos