Kërcënimi për sulme nga Irani, Franca shton masat e sigurisë, Macron: Rrezikohen edhe vende të tjera

Nga Rosalba Bejdo
3 Prill 2026, 11:33 | Bota

Franca shton masat e sigurisë në objekte të ndjeshme në të gjithë Parisin, pas një sulmi të parandaluar me bombë në zyrat e Bankës së Amerikës, që shtyu disa banka të tjera amerikane në Francë dhe Gjermani të udhëzonin punonjësit e tyre të punonin nga shtëpia të enjten, raporton A2CNN. 

Duke përmendur një kërcënim te shtuar terrorist, policia e Parisit tha se kishte forcuar mbrojtjen rreth objekteve fetare dhe kulturore, ambienteve diplomatike dhe disa qendrave ekonomike, si dhe në të gjithë rajonin më të gjerë.

Katër të dyshuar, përfshirë tre adoleshentë dhe një të rritur, janë vënë nën hetim zyrtar për rolin e tyre në sulmin e dështuar të javës së kaluar. I rrituri dyshohet se i ka rekrutuar adoleshentët dhe u ka paguar atyre nga 500 deri në 1,000 euro për të vendosur bombën dhe për të filmuar veten duke e vendosur atë.

Të katërt, të cilët ndodhen në paraburgim, mohojnë që të kenë pasur qëllime terroriste. Pajisja shpërthyese e improvizuar, një bidon benzine prej pesë litrash i lidhur me shirit ngjitës me një ngarkesë të madhe piroteknike, ishte më e fuqishmja e këtij lloji e identifikuar ndonjëherë në Francë, thanë prokurorët.

Policia dyshon se sulmi ishte organizuar nga HAYI, një grup pro iranian që kishte postuar më herët një video, me emrin e Bankës së Amerikës.

Nga Koreja e Jugut ku gjendej për një vizitë shtetërore, presidenti Macron tha se kanë vigjilencë të shtuar lidhur me çështjen, ndërsa pohoi se përveç Francës edhe shtete të tjera europiane po përballen me kërcënime të tilla për sulme. Autoritetet janë të shqetësuar se konflikti me Iranin mund të frymëzojë sulme në Francë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos