“Godasim urat dhe centralet elektrike”, Trump: As nuk kemi filluar të shkatërrojmë atë që ka mbetur në Iran

Nga Rosalba Bejdo
3 Prill 2026, 10:53 | Bota

Shtetet e Bashkuara as nuk kanë filluar të shkatërrojnë atë që ka mbetur nga Irani! Teksa bota kërkon dëshpërimisht gjetjen e mënyrave për të ri-hapur ngushticën jetësore të Hormuzit, presidenti amerikan Donald Trump ripërsërit kërcënimet për të intensifikuar sulmet ndaj infrastrukturës iraniane.

Ushtria jonë, që është më e fuqishmja në botë, as nuk ka nisur të shkatërrojë atë që ka mbetur në Iran. Do të fillojmë me urat, më pas me impiantet elektrike. Regjimi i ri e di se çfarë duhet bërë dhe se duhet bërë shpejt.

Trump ka ashpërsuar retorikën gjatë ditëve të fundit. Teksa negociatat e zhvilluara përmes ndërmjetësuesve me liderët e rinj në Iran kanë treguar pak shenja progresi, më herët kreu i Shtëpisë së Bardhë postoi një video ku shfaqet bombardimi nga SHBA i një ure të sapondërtuar që lidhte Iranin me qytetin e afërt të Karaj. Ura B1 ishte planifikuar të hapej për qarkullim këtë vit.

Sipas medias shtetërore në Iran, 8 persona u vranë dhe 95 të tjerë u plagosën në sulmin amerikan. Në një reagim, ministri i Jashtëm, Abbas Araqchi, tha se shënjestrimi i infrastrukturës civile, përfshirë urat e papërfunduara, nuk do të cojë në dorëzimin e iranianëve.

Ndërkohë, kreu i ushtrisë u tha komandantëve të përgatiten për çdo lloj sulmi, ndërsa paralajmëroi për kundërpërgjigje shkatërruese nga Republika Islamike.

Ebrahim Zolfaqari shprehet: “Me besimin në Zot, kjo luftë do të vazhdojë deri në poshtërimin dhe dorëzimin tuaj. Duhet të prisni veprime edhe më të fuqishme, të gjera dhe shkatërruese nga ne.”

Mediat iraniane raportuan një sulm me dronë ndaj një magazine të Gjysmëhënës së Kuqe në jug të rajonit të Bushehr, duke thënë se 2 kontenierë janë shkatërruar. Imazhet satelitore treguan gjithashtu tym që ngrihej nga porti në Qeshm, një ishull strategjik në ngushticën e Hormuzit.

Po ashtu, Irani dhe aleatët e tij kanë vijuar sulmet kundër objektivëve në Izrael dhe rreth Gjirit. Korporata e Naftës së Kuvajtit raportoi se rafineria e saj Mina al-Ahmadi u godit nga dronë, duke i vënë zjarrin njësive operative. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos