Presidenti i SHBA Donald Trump ka ndërprerë ndihmën ushtarake për Ukrainën pas përplasjes së tij me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Një vendim i tillë thellon çarjen që është hapur mes aleatëve të dikurshëm.
Lëvizja vjen pasi Trump ndryshoi politikën e SHBA-së për Ukrainën dhe Rusinë me marrjen e detyrës në janar, duke miratuar një qëndrim më pajtues ndaj Moskës - dhe pas një konfrontimi shpërthyes me Zelenskiy në Shtëpinë e Bardhë të premten, në të cilën Trump e kritikoi atë se ishte mjaft mirënjohës për mbështetjen e Uashingtonit në luftën me Rusinë, shkruan A2 CNN.
"Presidenti Trump ka qenë i qartë se ai është i përqendruar te paqja. Ne kemi nevojë që partnerët tanë të jenë të përkushtuar ndaj këtij qëllimi gjithashtu. Ne po ndalojmë dhe rishikojmë ndihmën tonë për të siguruar që ajo po kontribuon në një zgjidhje," thanë zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë për Reuters.
Shtëpia e Bardhë nuk kishte asnjë koment mbi shtrirjen dhe sasinë e ndihmës së prekur ose sa do të zgjaste pauza. Pentagoni nuk mund të jepte detaje të mëtejshme.
Zyra e Zelenskiy nuk iu përgjigj mediave ndërkombëtare për koment dhe as ambasada e Ukrainës në Uashington.
Ndërkohë, Demokratët në Kongresin e SHBA e denoncuan këtë veprim. “Duke ngrirë ndihmën ushtarake për Ukrainën, Presidenti Trump ia ka hapur derën Putinit për të përshkallëzuar agresionin e tij të dhunshëm kundër ukrainasve të pafajshëm. Pasojat do të jenë padyshim shkatërruese,” tha senatori Jeanne Shaheen, kryedemokratja në Komitetin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë. (A2 Televizion)