
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, është rizgjedhur si sekretar i përgjithshëm i Partisë së Punës në Korenë e Veriut, duke zgjatur sundimin e tij 15 vjeçar mbi partinë e vetme qeverisëse të vendit. Zgjedhjet u zhvilluan të dielën, në ditën e katërt të kongresit të partisë, që mbahet çdo pesë vjet, sipas Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë.
Gjatë aktivitetit u zgjodhën gjithashtu anëtarët e Komitetit Qendror dhe u ndryshuan disa rregulla të partisë, pa u dhënë detaje të mëtejshme. Kim është udhëheqësi suprem i Koresë së Veriut që nga vdekja e babait të tij, Kim Jong Il, në vitin 2011.
Gjatë Kongresit të këtij viti të Partisë së Punës, Kim vlerësoi punën e pesë viteve të fundit të partisë dhe paraqiti strategji dhe objektiva të reja për pesëvjeçarin e ardhshëm.
Duke folur në seancën hapëse javën e kaluar, Kim i quajti pesë vitet e fundit një “periudhë krenare në zbatimin e kauzës socialiste në stilin tonë”, ndërsa pranoi sfida si sanksionet dhe “kriza globale e shëndetit publik”.
“Sot, Partia jonë përballet me detyra historike të rënda dhe urgjente për të përshpejtuar ndërtimin ekonomik dhe rritjen e standardit të jetesës së popullit, si dhe për të transformuar të gjitha fushat e jetës shtetërore dhe shoqërore sa më shpejt të jetë e mundur. “Kjo kërkon që të zhvillojmë një luftë më aktive dhe të vazhdueshme, pa lejuar asnjë moment ndalese”. (A2 Televizion)