Kina e bëri të qartë se nuk do të përulet përballë shantazhit të Shteteve të Bashkuara, teksa lufta tregtare e nxitur nga tarifat e Donald Trump nuk jep sinjale zbutjeje.
Reagimi i Pekinit erdhi pasi Trump kërcënoi të çojë në mbi 100% tarifat ndaj ekonomisë së dytë më të madhe në botë, pasi kjo e fundit njoftoi taksa reciproke prej 34% ndaj importeve amerikane, shkruan A2.
Ministria e Tregtisë së Kinës u shpreh: “Kërcënimi i SHBA për të rritur taksat ndaj Kinës, është një gabim mbi gabime, që ekspozon edhe një herë natyrën shantazhuese të SHBA. Nëse Shtetet e Bashkuara këmbëngulin për të vazhduar me kokën e tyre, atëherë Kina do të luftojë deri në fund”.
Edhe Bashkimi Europian ka propozuar kundërtarifa prej 25% ndaj një sërë produktesh të Shteteve të Bashkuara, përfshirë sojën, arrat dhe salçiçet, ndërsa produkte të tjera të rëndësishme si Whiskey bourbon u lanë jashtë listës, sipas një dokumenti të parë nga Reuters.
Megjithatë, zyrtarë të BE janë shprehur të gatshëm të negociojnë për një ujdi, me zero tarifa me administratën Trump.
Ursula von der Leyen tha: “Këto tarifa vijnë para së gjithash me kosto të jashtëzakonshme për konsumatorët dhe bizneset amerikane. Por, në të njëjtën kohë, ato kanë një ndikim masiv në ekonominë globale. Veçanërisht të goditura janë vendet në zhvillim. Ne jemi të gatshëm të negociojmë me Shtetet e Bashkuara. Ne ofrojmë zero tarifa për produkte industriale siç kemi berë me partnerë të tjerë tregtarë”.
Donald Trump e ka përshëndetur propozimin e BE, edhe pse e ka cilësuar si të pamjaftueshëm. Tarifat e Trump kanë “çmendur” tregjet e aksioneve në Europë, SHBA dhe Azi, teksa investitorët i druhen një recesioni të mundshëm.
Përballë rënieve dramatike në bursë gjatë këtyre ditëve, liderë të bizneseve, përfshirë njerëz të afërm të Trump, u kanë bërë thirrje Presidentit të ndryshojë kurs.
(A2 Televizion)