“Irani është në rrezik të madh”. Ky është paralajmërimi që ka bërë Presidenti amerikan Donald Trump kundrejt vendit islamik.
Reagimi i ashpër vjen pas sinjaleve se Irani ka avancuar drejt finalizimit të armës bërthamore. I pyetur nga gazetarët se çfarë do të ndodhë nëse negociatat e nivelit të lartë mes Iranit dhe SHBA-së dështojnë, Trump tha se i gjithë rreizku do të jetë mbi Iranin.
“Mendoj se nëse bisedimet nuk do të jenë të suksesshme me Iranin, atëherë Teherani do të jetë në rrezik të madh. E urrej të them nëse do të përdorim aksione ushtarake apo jo, por është një rrezik i madh, pasi ata nuk mund të kenë armë bërthamore”, deklaroi Trump.
Paralajmërimi i Trump vjen pas një njoftimi të befasishëm të Presidentit amerikan, se SHBA do të fillojë dialogun e nivelit të lartë mbi programin bërthamor të Teheranit, por ministri i Jashtëm i Iranit tha se diskutimet në Oman do të ishin indirekte. Takimi është konfirmuar gjithashtu nga ministri i Jashtëm i Iranit, i cili tha se bisedimet do të ishin “të tërthorta”, por mund të jenë “po aq një sa mundësi aq edhe një provë”.
Trump nuk dha detaje të mëtejshme rreth bisedimeve, se cilët zyrtarë janë përfshirë: “Nivel i lartë, diskutime në një nivel shumë të lartë. Ne po diskutojmë me iranianët. Kemi një takim të rëndësishëm të Shtunën dhe po diskutojmë me ta direkt. Por duhet të dini, shumë njerëz thonë, se ndoshta po shkoni drejt një takimi surrogate, ose se nuk po diskutoni direkt, po ndërmjetësoni me vende të tjera. Jo, ne po diskutojmë me ta direkt. Mendoj se një marrëveshje do të bëhet. Kjo do të jetë një gjë e mirë për Iranin”.
Shtetet e Bashkuara dhe Irani zhvilluan bisedime indirekte gjatë mandatit të ish-presidentit Joe Biden, por ata bënë pak ose aspak përparim. Negociatat e fundit të njohura të drejtpërdrejta midis dy qeverive ishin nën Presidentin e atëhershëm Barack Obama, i cili udhëhoqi marrëveshjen ndërkombëtare bërthamore të vitit 2015, të cilën Trump më vonë e braktisi.
Por, sipas analistëve të çështjeve të Lindjes së Mesme, bisedimet e drejtpërdrejta nuk do të ndodhin pa miratimin e qartë të Khameneit, i cili në muajin shkurt tha se negociatat me SHBA-në nuk ishin "të zgjuara, të mençura apo të ndershme".
(A2 Televizion)