
Kina ka dënuar sulmin amerikan në Venezuelë, duke e cilësuar atë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe i ka bërë thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të lirojnë menjëherë presidentin Nicolas Maduro
“Kina i bën thirrje Shteteve të Bashkuara të Amerikës të sigurojnë sigurinë personale të Presidentit Nicolas Maduro dhe gruas së tij, t’i lirojnë menjëherë ata dhe të ndalojnë përmbysjen e qeverisë në Venezuelë”, tha Ministria e Jashtme kineze në një deklaratë, raporton A2 CNN.
Po kështu edhe Irani ka dënuar agresionin ushtarak amerikan kundër Venezuelës, duke e quajtur atë një shembull të qartë të terrorizmit shtetëror
"Irani dënon me forcë agresionin ushtarak amerikan kundër Venezuelës dhe rrëmbimin e Presidentit legjitim të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe gruas së tij, dhe e konsideron këtë veprim një shembull të qartë të terrorizmit shtetëror", tha Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, në një bisedë telefonike me homologun e tij venezuelian, Yvan Eduardo Gil Pinto, mbrëmë, shkruan A2 CNN.

Irani e konsideron veprimin e SHBA-së një sulm të qartë ndaj sovranitetit dhe vullnetit kombëtar të Venezuelës dhe do të mbështesë qeverinë e zgjedhur të Venezuelës, shtoi ai, sipas IRNA-s.
Pinto, nga ana e tij, vlerësoi solidaritetin e Iranit, duke theksuar: "Ne jemi të vendosur të mbrojmë sovranitetin kombëtar dhe të drejtën e vetëvendosjes kundër politikave arrogante dhe të paligjshme të Shteteve të Bashkuara".
Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara do të mbajë një takim urgjent të hënën mbi operacionin e SHBA-së kundër Venezuelës , tha të shtunën presidenca e këshillit. Në përgjigjen e tij ndaj ndërhyrjes ushtarake amerikane në vendin jugor amerikan, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, tha në një deklaratë se është thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi në Venezuelë.
New York Times raporton se të paktën 40 persona, përfshirë personel ushtarak dhe civilë, u vranë në sulmin amerikan ndaj Venezuelës në orët e para të së shtunës, sipas një zyrtari të lartë venezuelian i cili foli në kushte anonimiteti. (A2 Televizion)