
Në qytetin turk Adıyaman, një nga zonat më të goditura nga tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit 2023 me epiqendër në Kahramanmaraş, koha duket sikur është ndalur në orën 04:17. Kulla e sahatit, një nga simbolet më të njohura të qytetit, vazhdon të tregojë pikërisht këtë orë, momentin kur ndodhi tërmeti i parë që tronditi rëndë rajonin dhe ndryshoi përgjithmonë jetën e mijëra njerëzve, përcjell A2 CNN.
E vendosur në bulevardin Atatürk, kulla ka orë në të katër faqet e saj dhe mbi të mban edhe figurën e një zogu, simbol i krahinës. Që prej ditës së fatkeqësisë, akrepat nuk kanë lëvizur më, duke u shndërruar në një kujtesë të përhershme të dhimbjes dhe humbjeve të mëdha.
Pas debateve në qytet lidhur me riparimin e saj, Bashkia e Adıyamanit vendosi në shtator 2023, pas konsultimeve me publikun, që ora të mos vihej më në funksion dhe të ruhej në këtë gjendje. Kryetari i bashkisë, Abdurrahman Tutdere, ka theksuar se edhe pse kanë kaluar tre vite nga tërmetet, plagët mbeten ende të hapura. Sipas tij, kulla e sahatit është kthyer në simbol të shkatërrimit, dhimbjes dhe kujtesës kolektive, që do t’u tregojë brezave të ardhshëm se në këto troje një ditë “koha dhe jeta u ndalën” në 04:17. (A2 Televizion)