Konflikti në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës kalon 100 dollarë për fuçi për herë të parë që nga viti 2022

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 07:23 | Bota

Konflikti në Lindjen e Mesme, çmimi i naftës kalon 100

Çmimet globale të naftës kanë kaluar nivelin e 100 dollarëve për fuçi për herë të parë që nga viti 2022, për shkak të sulmeve të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit.

Çmimi ndërkombëtar i referencës së naftës së papërpunuar Brent crude, u rrit me më shumë se 20% gjatë fundjavës, duke arritur deri në 114 dollarë për fuçi. Mëngjesin e së hënës çmimi u stabilizua rreth 107.50 dollarë për fuçi, ndërsa tregjet vazhdojnë të reagojnë ndaj frikës për ndërprerje të furnizimeve globale me energji. Edhe çmimi i naftës amerikane West Texas Intermediate u rrit ndjeshëm, duke arritur mbi 112 dollarë për fuçi.

Rritja e çmimeve lidhet kryesisht me tensionet në Ngushticën e Hormuzit, një nga rrugët detare më të rëndësishme për transportin e naftës në botë. Irani ka bllokuar në mënyrë efektive lëvizjen e anijeve në këtë zonë në shenjë hakmarrjeje, duke rrezikuar rreth një të pestën e furnizimit global me naftë.

Ndërkohë, disa vende prodhuese si Iraku, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajti kanë ulur prodhimin, pasi transporti i naftës është bërë më i vështirë për shkak të situatës në rajon.

Presidenti amerikan Donald Trump e cilësoi rritjen e çmimeve si një efekt të përkohshëm të konfliktit, duke theksuar se situata do të stabilizohet pasi të eliminohet, sipas tij, kërcënimi bërthamor i Iranit.

“Çmimet afatshkurtra të naftës, të cilat do të bien me shpejtësi kur të mbarojë shkatërrimi i kërcënimit bërthamor të Iranit, janë një çmim shumë i vogël për t’u paguar për SHBA-në, botën, sigurinë dhe paqen”, tha Trump në një postim në Truth Social.

Edhe Sekretari amerikan i Energjisë, Chris Ëright, deklaroi se çdo rritje e çmimeve të karburantit në tregjet ndërkombëtare pritet të jetë afatshkurtër.

Megjithatë, tregjet financiare në të gjithë Azinë mbeten nën presion. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos