“Që 1 vjeç jepini vitaminë D fëmijës”, këshillat e nutricionistes për qëndrimin në diell dhe ushqimet

Nga A2 CNN
9 Mars 2026, 09:13 | Aktualitet

Vitamina D është një nga elementët më të rëndësishëm për shëndetin e organizmit, megjithatë shumë njerëz, rezultojnë me nivele të ulëta të saj në gjak, pavarësisht ekspozimit në diell. Kështu u shpreh në Dita Jonë në A2 CNN nutricionistja, Matina Çobo, e cila theksoi se kjo vitaminë ndikon në zhvillimin e kockave, funksionimin e sistemit nervor, metabolizmin dhe balancën hormonale.

"Vitamina D është një hormon, konsiderohet një hormon për nga rëndësia që ka në procese e ndryshme metabolike ku ajo merr pjesë, qoftë nga zhvillimi kockor, zhvillimi i trurit, zhvillimi metabolik, hormonal. Është një vitaminë e cila burimin ose bazën e saj e ka pikërisht nga kolesteroli si të gjitha vitaminat e tretshme në yndyrën edhe si hormonet steroide. Kjo është dhe një arsye pse konsiderohet një hormon”.

Ajo rekomandon që çdo ditë të ekspozohet rreth 30% e sipërfaqes së lëkurës për 15–20 minuta, në mënyrë që organizmi të prodhojë sasinë e nevojshme.

“Vitamina D është një hormon që sintetizohet një pjesë e rëndësishme e tij në lëkurë. Pra aktivizohet dhe kjo është dhe arsyeja pse ne rekomandojmë që të paktën çerekore deri në 20 minuta në ditë ne të kemi një ekspozim të një pjese të rëndësishme të lëkurës në diell. Pra, rekomandohet që përveç se krahëve të jetë pjesa e gjoksit apo e kurrizit, rreth 30% e lëkurës që ne të prodhojmë sasinë e nevojshme të vitaminës D gjatë ditës. Por kjo sasi ndonjëherë bëhet e vështirë për t'u arrirë vetëm nga ekspozimi në diell”.

Nutricionistja sugjeron që vitamina D të merret edhe përmes ushqimit, sepse sipas saj për shkak të mënyrës së jetesës, qëndrimit gjatë në ambiente të mbyllura dhe përdorimi i kremrave mbrojtës nga dielli bëjnë që kjo sasi të mos jetë e mjaftueshme. Burimet kryesore janë veza, sidomos e verdha, farat dhe arrorët, si dhe mishi, veçanërisht viçi dhe pula.

“Burimet kryesore të vitaminës D përgjithësisht janë burimet shtazore, veza, mishi, bulmeti, janë arrorët, arrat, lajthitë, farat, shumë të rëndësishme dhe janë ushqime të cilat ne kur i inkorporojmë në dietën tonë, arrijmë që t'i marrim, por prapë nevojitet prania e diellit që këtë vitaminë D, që ne kemi marrë përmes ushqimit ta aktivizojmë. Kështu që bëhet e rëndësishme si të thuash marrja e një doze të vitaminës kur ne kemi deficiencë në gjak. Domethënë rekomandohen suplementet pa diskutim vetëm kur ne shohim që ka një defiçit në analiza. Në qoftë se ti do të marrësh vitaminë, nuk mund ta marrësh kot pa pasur një mungesë”.

Sipas saj, mungesa e vitaminës D mund të shfaqet me lodhje të vazhdueshme, rënie të flokëve, thonj të brishtë apo probleme me lëkurën. Në disa raste, ajo lidhet edhe me probleme metabolike dhe me vështirësi në arritjen e rezultateve gjatë dietave.

“Mungesa e vitaminës D shfaqet e ngjashme dhe me aneminë dhe me problemet e tiroides. Është një trio që kur ne ndihemi të lodhur që nuk kemi fuqi, nuk kemi motivim,  kemi vështirësi ose probleme me flokët, me lëkurën, me thonjtë.  Janë shenja të cilat ne mund të dyshojmë njëkohësisht si për tiroiden e ulët, si për aneminë ashtu si kundër edhe për një vitaminë D të ulët”.

Ekspertja theksoi se suplementet e vitaminës D duhet të merren vetëm pas analizave të gjakut që tregojnë mungesë. Ndërkohë, tek fëmijët rekomandohet marrja e vitaminës D që në muajt e parë të jetës, shpesh në formë pikash, për të ndihmuar zhvillimin e sistemit kockor.

“Nëse jemi të veshur dhe vetëm fytyrën kemi të ekspozuar në diell, nuk arrijmë dot që të sintetizojmë sa duhet vitaminën D. Domethënë ë fytyra, dekolteja nuk mjaftojnë për të prodhuar vitaminë D mjaftueshëm. Duhet patjetër rreth 30% e sipërfaqes së lëkurës. Në verë më ndryshe sepse veshim rroba më të holla, krahët kurrizi mund të jenë më të ekspozuar, por në dimër është e vështirë. Një nga sferat ku ndikon vitamina D kur ne jemi të rritur, përveç se shëndeti metabolik në përgjithësi dhe hormonal është edhe sistemi nervor. Pra, po ta vini re, vendet që kanë më pak diell kanë më shumë incidencë dhe prevalencë të depresionit, të ankthit, të çrregullimeve psikologjike. Ia vlen patjetër që të theksojmë rëndësinë tek fëmijët. Fëmijët që sa lindin në rekomandimet botërore është marrja e vitaminës D me pika. Tek fëmijët e vegjël merret e kombinuar me vitaminën K2 për të stimuluar thithjen e vitaminës D nga kockat, sepse qëllimi që ne japim është për një sistem osteoartikular, pra kockor të fortë dhe në vitin e parë të jetës është e domosdoshme, ndryshon dozimi sipas moshës dhe një deri në tre vjeç është një dozë pak më e lartë. Në qoftë se ne do shohim rekomandimet e OBSH-së, rekomandohet që deri në 18 vjeç fëmijët të marrin një suplement, por ajo mosha deri në tre vjeç është që me patjetër pa diskutim duan fëmijët një dozë të vitaminës D mbajtëse”, theksoi ajo.

Kujdes i veçantë kërkohet edhe për moshën e tretë, pasi mungesa e saj lidhet shpesh me dobësimin e kockave dhe probleme të tjera shëndetësore.

“Mosha e tretë në përgjithësi bëhet pak më neglizhente ose është në natyrën tonë që janë pak më neglizhentë për shëndetin e tyre. Në momentin kur femrat hyjnë në menopauzë edhe vetë gjinekologët bëjnë një analizë të plotë të rastit, po flas specifikisht për femrat dhe vitamina D kur fillojnë ato problemet e kockave të artritit është një nga suplementet e rekomanduara. Kështu që femrat ndoshta janë pak më të mbrojtura edhe sepse ulja e estrogjenit dhe hormoneve femërore ë ndikon drejtpërdrejtë në shëndetin kockor. Ndërsa meshkujt nga njëra anë fiziologjikisht kanë më pak prirje për të bërë ulje të vitaminës D, por dhe nga ana tjetër nuk është se shohim që marrin aq shumë suplement”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos