Bazilika e Shën Pjetrit hapi sërish dyert të enjten për të mirëpritur turmat e besimtarëve nga e gjithë bota që u rreshtuan për t'i bërë nderimet e fundit Papa Françeskut. Rreth 61 mijë njerëz kanë janë bërë pjesë e këtij kortezhi madhështor duke krijuar edhe radhë kilometrike, shkruan A2 CNN. Bazilika fillimisht ishte planifikuar të mbyllej në mesnatën e së mërkurës, por duke pasur parasysh madhësinë e turmave, zyrtarët e mbajtën të hapur deri në orën 5:30 të mëngjesit përpara se të rihapte në orën 7 të mëngjesit të së enjtes.
“Ai ishte një papë i mrekullueshëm”, thonë disa nga banorët e Romës. “Do të na mungojë shumë, sepse është sikur kemi humbur një pjesë nga vetja”, shtojnë disa të tjerë.
Të shtunën, mbi 170 delegacione, duke përfshirë krerët e shteteve dhe qeverive, përfshirë presidentin e SHBA-së, Donald Trump, do të jenë të pranishëm në sheshin e Shën Pjetrit për ceremoninë e varrimit.
Ish-liderja gjermane Angela Merkel nuk do të marrë pjesë në funeralin e Françeskut. “Ish-kancelarja federale nuk pritet të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut më 26 prill”, tha një zëdhënëse e zyrës së saj. Ndërkohë nuk do të jenë të pranishëm as Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu. Nëse shkel në Itali Putin rrezikon të arrestohet pas vendimit të Gjykatës së Hagës. Ndërsa mungesa e Netanyahut vjen pas marrëdhënieve shpesh herë të acaruar mes Izraelit dhe Selisë së Shenjtë për shkak të kritikave për luftën në Gaza. Rusia do të përfaqësohet nga Ministrja e Kulturës. Ndërsa Izraeli nga ambasadori i tij në Itali.
Disa nga Kardinalët me të drejtë vote shprehen se Papa Francesku kishte “vlerësim unanim”. Ndërkohë protokolli i Vatikanit, bën të ditur se riti i mbylljes së arkivolit të Papa Françeskut, do të zhvillohet të premten në orën 20:00 në Bazilikën e Shën Pjetrit. Riti, do të kryesohet nga Kardinali Farrell i Kishës së Shenjtë Romake. (A2 Televizion)