Ishte një moment prekës dhe dramatik dhe u regjistrua drejtpërdrejt në televizion. Kur tërmeti me magnitudë 6,2 goditi Stambollin të mërkurën, gazetarja dhe prezantuesja e CNN Turk, Meltem Bozbeyoğlu, ishte në transmetim live në momentin e tërmetit dhe reagimi i saj i sinqertë, i drejtuar koleges së saj, u kthye menjëherë në një temë të nxehtë në rrjetet sociale dhe në media.
Ndërsa ndodhej në studiot e lajmeve dhe përpiqej të informonte publikun për zhvillimet e fundit, Bozbeyoğlu kërkoi nga kolegia e saj, redaktorja Emine Şilan Bozyurt që të telefononte nënën e saj. Kjo fjali e thjeshtë, por e ngarkuar emocionalisht, u bë simbol i frikës dhe pasigurisë që përjetuan qytetarët e Stambollit atë ditë.
Në një intervistë në programin Tarafsız Bölge të gazetarit Ahmet Hakan, Meltem dhe Şilan folën për emocionet dhe momentet që përjetuan gjatë lëkundjeve. Meltem tregoi se përveçse ishte përpjekur të informonte publikun, mendja i kishte shkuar menjëherë te nëna e saj, Tülay Bozbeyoğlu. “Në atë moment i shkrova nënës time: Mami, je mirë? Të lutem, fol!”, tha ajo. “Nëse një ndërtesë kaq e sigurt po lëkundej kaq fort, Stambolli duhet të ishte shembur”.
Për më tepër, gjatë intervistës live, gazetares iu bë një surprizë emocionuese: nëna e saj, e prekur dhe me lot në sy, u lidh në transmetim direkt. Me zërin që i dridhej nga emocioni, Tülay Bozbeyoğlu tregoi frikën që kishte ndjerë teksa shihte vajzën e saj në televizor, pa ditur nëse ishte e sigurt apo jo.
Ky episod ka lënë gjurmë te publiku turk, jo vetëm për faktin se tregoi pasojat e një tërmeti në kohë reale, por edhe për anën njerëzore dhe të ndjeshme që u shfaq përmes një gazetareje që, ndonëse në mes të një transmetimi zyrtar, nuk harroi të ishte bijë e një nëne të shqetësuar. (A2 Televizion)