Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së (IAEA) thotë se mirëpret njoftimet e sotme në lidhje me situatën në Iran.
"Rifillimi i bashkëpunimit me IAEA-në është çelësi i një marrëveshjeje të suksesshme diplomatike për të zgjidhur përfundimisht mosmarrëveshjen mbi aktivitetet bërthamore të Iranit", thotë Rafael Grossi, shkruan A2 CNN.
Ai shton se i ka shkruar Ministrit të Jashtëm iranian për të theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe për të propozuar që ata të takohen së shpejti.
Inspektorët e IAEA-s kanë mbetur në Iran gjatë gjithë konfliktit dhe janë gati të fillojnë punën sa më shpejt të jetë e mundur, thotë organizata në një deklaratë, shkruan A2 CNN.
"Gjatë këtyre sulmeve, kemi parë dëme të mëdha në disa centrale bërthamore në Iran, duke përfshirë edhe impiantet e konvertimit dhe pasurimit të uraniumit”, shtoi ai më tej.
"Vlerësimi ynë është se ka pasur disa çlirime të lokalizuara radioaktive, si dhe kimike, brenda impianteve të prekura që përmbanin materiale bërthamore - kryesisht uranium të pasuruar në shkallë të ndryshme - por nuk ka pasur raportime për rritje të niveleve të rrezatimit jashtë vendit", thotë Grossi. (A2 Televizion)