
I dërguari i Presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Jared Kushner, po zhvillon një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Kushner mbërriti në Izrael mbrëmjen e së dielës, pasi zhvilloi bisedime me Hamasin për të diskutuar zbatimin e Planit të Paqes për Gazën, të mbështetur nga SHBA.
Javën e kaluar, Izraeli hodhi poshtë planin 15-pikësh të Trumpit për paqen, i cili parashikon gjithashtu tërheqjen e trupave izraelite dhe rindërtimin e Gazës nën administrimin e një qeverie të re civile palestineze.
Refuzimi erdhi pasi Bordi i Paqes i Trumpit tha se muajin e kaluar kishte arritur marrëveshje për “çarmatimin e plotë” të Hamasit dhe grupeve të tjera të armatosura në Gaza.
Tetë vende myslimane lëshuan të dielën një deklaratë ku dënuan refuzimin e Izraelit.
Trump drejton Bordin e Paqes, i cili u krijua fillimisht si një organizatë ndërkombëtare që synonte të sillte paqen në Gaza, por më vonë u zgjerua për të përfshirë edhe konflikte në mbarë botën.
Të dielën, një zyrtar palestinez i tha BBC-së se dhëndri i Trumpit ishte takuar në Egjipt me një delegacion të kryesuar nga lideri i ri i Hamasit, Khalil al-Hayya.
Në një deklaratë të mëvonshme, Hamasi u bëri thirrje ndërmjetësuesve dhe Bordit të Paqes që të “detyrojnë” Izraelin të miratojë planin për hapat e ardhshëm.
Por Netanyahu përballet me zgjedhje të vështira në tetor, në përpjekje për të qëndruar në pushtet, ndërsa koalicioni i tij përfshin ministra që favorizojnë një qëndrim më të ashpër ndaj Gazës.
Shumë izraelitë janë gjithashtu skeptikë nëse Hamasi është vërtet i gatshëm të çarmatoset.
Takimi i Kushnerit me Hayyan besohet të jetë i pari në këtë nivel që nga marrëveshja e vitit të kaluar për një armëpushim në Rripin e Gazës.
(A2 Televizion)