Liderët e E3 i kërkojnë Iranit të mos destabilizojë rajonin

Nga A2 CNN
22 Qershor 2025, 20:28 | Bota

Liderët e E3 i kërkojnë Iranit të mos destabilizojë

Udhëheqësit e grupit E-Tre kanë kërkuar nga Irani që të mos e destabilizojë rajonin në përgjigjen e tij ndaj sulmeve amerikane ndaj caqeve bërthamore.

Sipas një deklarate, kryeministri britanik Keir Starmer, kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron diskutuan zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme më herët sot.

"Ne i bëjmë thirrje Iranit të angazhohet në negociata që çojnë në një marrëveshje që adreson të gjitha shqetësimet që lidhen me programin e tij bërthamor. Ne jemi të gatshëm të kontribuojmë për këtë qëllim në koordinim me të gjitha palët. Ne i kërkojmë Iranit të mos ndërmarrë asnjë veprim të mëtejshëm që mund të destabilizojë rajonin," thuhet në deklaratë.

Deklarata vjen pak kohë para se Këshilli i Sigurimit i OKB-së të mblidhet më vonë sot në Nju Jork me kërkesë të Iranit pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës sulmuan centralet e tij kryesore bërthamore.

Teherani tha në një letër më herët drejtuar presidentit të Këshillit të Sigurimit dhe sekretarit të përgjithshëm të OKB-së se ata duan që takimi "të adresojë këtë akt të hapur dhe të paligjshëm agresioni".

Sipas ambasadorit të Izraelit në OKB, Danny Danon, takimi do të fillojë në orën njëzetenjë, me kohë të Evropës qendrore, raporton KosovaPress. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos