Liderët evropiane dhe ata në Lindjen e Mesme pro planit të Trump për paqen në Gaza

Nga A2 CNN
30 Shtator 2025, 07:13 | Bota

Liderët evropiane dhe ata në Lindjen e Mesme pro planit të Trump

Udhëheqësit evropianë dhe të Lindjes së Mesme kanë mirëpritur planin e ri të paqes të SHBA-së për Gazën, ndërsa Presidenti Donald Trump paralajmëroi Hamasin ta pranonte atë.

Plani, i dakordësuar nga Trump dhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, propozon një fund të menjëhershëm të operacioneve ushtarake, me Hamasin që liron brenda 72 orëve 20 pengje izraelite të gjallë dhe trupat e më shumë se dy duzinave pengjesh që besohet se kanë vdekur, në këmbim të qindra banorëve të ndaluar të Gazës.

Një burim palestinez i njohur me negociatat e armëpushimit tha se zyrtarëve të Hamasit u është dhënë plani 20-pikësh i Shtëpisë së Bardhë, shkruan A2 CNN.

Shtëpia e Bardhë publikoi planin 20-pikësh të Trump i cili mes të tjerash parashikon, një tërheqje të organizuar izraelite nga enklava palestineze, çarmatimin e Hamasit dhe një qeveri kalimtare të udhëhequr nga një organ ndërkombëtar.

Në vizitën e katërt të Netanyahut në Shtëpinë e Bardhë që kur Trump u rikthye në detyrë në janar, udhëheqësi i krahut të djathtë izraelit po kërkonte të forconte marrëdhënien më të rëndësishme të vendit të tij, pasi një mori udhëheqësish perëndimorë përqafuan zyrtarisht shtetësinë palestineze javën e kaluar, në kundërshtim me SHBA-në dhe Izraelin, raporton A2 CNN.

“Unë besoj se sot po bëjmë një hap kritik drejt përfundimit të luftës në Gaza dhe përgatitjes së terrenit për avancimin dramatik të paqes në Lindjen e Mesme, mendoj përtej Lindjes së Mesme. Unë mbështes planin tuaj për t'i dhënë fund luftës në Gaza, i cili arrin qëllimet tona të luftës. Do t'i kthejë Izraelit të gjithë pengjet tona, do të çmontojë aftësitë ushtarake të Hamasit dhe sundimin e tij politik dhe do të sigurojë që Gaza të mos përbëjë më kurrë një kërcënim për Izraelin”, deklaroi Netanyahu.

Më tej, Netanyahu shtoi se nëse Hamasi nuk e pranon planin e paqes, Izraeli do të vazhdojë deri në fund me luftë: “Mendoj se duhet ta kuptojmë se po u japim të gjithëve një shans që kjo të bëhet në mënyrë paqësore, diçka që do të arrijë të gjitha objektivat tona të luftës pa gjakderdhje të mëtejshme. Por, nëse Hamasi e refuzon planin tuaj, zoti President, ose nëse supozohet se e pranon atë, dhe pastaj në thelb bën gjithçka për ta kundërshtuar atë, atëherë Izraeli do ta përfundojë punën vetë”.

Lëvizja e Trump shënoi një përpjekje të shtuar diplomatike nga presidenti i SHBA-së, i cili u zotua gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024 se do ta përfundonte shpejt konfliktin dhe që atëherë ka pohuar vazhdimisht se një marrëveshje paqeje ishte afër, por ajo nuk u materializua.

Mungesa e dukshme e Hamasit në negociata ka ngritur pyetje në lidhje me perspektivat e iniciativës së fundit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos