“Liderët në Kiev janë çmendur”, Putin kërcënon: Rusia ka të ardhme, Ukraina jo

Nga Xhevahir Qardaku
11 Dhjetor 2023, 15:05 | Bota


Vladimir Putin beson se udhëheqësit e Ukrainës janë çmendur plotësisht. Presidenti rus e bëri të ditur këtë vlerësim gjatë një eventi për vlerësimin e ushtarëve të dalluar me medaljen “Heronjt e Rusisë” në Kremlin.

“Ne kurrë nuk do ta bënim këtë operacion nëse ata nuk do të nisnin me shkatërrimin e Rusisë në territoret tona historike, dëbonin njerëzit dhe shpallnin rusët një grup jo autokton në Ukrainë”, u shpreh Putin.

Ai po i referohej një ligji të Ukrainës për njerëzit indigjen, të miratuar në vitin 2021, i cili njeh vetëm 3 grupe etnike si autoktone, Tatarët e Krimesë, Karaitët e Krimesë dhe hebrenjt e Krimesë, Krimçakët. Në atë event, presidenti rus nuk i kurseu parashikimet me zhdukjen e Ukrainës.

 “Ushtria jonë po vepron më shumë dhe në mënyrën e duhur në Ukrainë. Industria po rritet dhe po prodhojmë shumëfish më shumë. E di që nuk kemi ende mjaftueshëm nga gjithçka. Por atyre po u mbarojnë gjërat. Ata nuk kanë as themelet e tyre. Kur nuk ke themele, asnjë ideologji, as industri, as para… ata nuk kanë asgjë të tyre… atëherë ata nuk kanë të ardhme, por ne e kemi një të tillë”, tha Putin.

Ndërkohë, ministri i jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, ka rikthyer sulmet e tij ndaj Europës dhe Amerikës. “Dominimi i perëndimit po përfundon pas 500 vitesh”, u shpreh ai në Doha.

“Në fillim të shekullit të 19 Napoleoni mblodhi thuajse të gjithë Europën për të sulmuar Rusinë dhe ne e mposhtëm atë duke u bërë më të fuqishëm pas atij agresioni. Në gjysmën e shekullit të kaluar, Hitleri bëri të njëjtën gjë, vendosi nën komandon e tij shumicën e vendeve europiane për të sulmuar Rusinë, por edhe ai u mposht, ndërsa ne dolëm më të fortë pas asaj lufte. Rezultati i luftës së nisur nga Shtetet e Bashkuara duke përdorur Ukrainën kundër Rusisë dihet tashmë”, shtoi Putin.

Ndër të tjera tha se Rusia është gjithmonë e gatshme për negociata paqeje me Ukrainën, por akuzoi perëndimin se nuk e lejon Kievin të ulet ne tryezën e bisedimeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos