Lidhja e Jeffrey Epstein me dy magjistarët e famshëm, "Jam këtu nëse ke nevojë për ndonjë gjë"

Nga A2 CNN
27 Prill 2026, 16:29 | Bota

Lidhja e Jeffrey Epstein me dy magjistarët e famshëm, "Jam

Magjistari i famshëm David Blaine ishte në një mision për të realizuar një tjetër akt të pamundur, që kërkonte të gëlltiste vajguri (kerosen).

Për t’u stërvitur për këtë akt të rrezikshëm, ai fillimisht praktikoi me ujë, dhe disa peshq të vegjël të artë. Me regjisorin Woody Allen duke e parë, Blaine piu një gotë ujë me dy peshq brenda. Më pas ai nxori ujin me shpërthime të shpejta në një vaskë; pas disa orësh, edhe dy peshqit që kishte gëlltitur dolën nga stomaku i tij në një akuarium, në dukje të gjallë dhe mirë.

Ky akt duket se ishte pjesë e speciales së vitit 2013 në ABC, “David Blaine: Real or Magic”. Por ajo që Blaine nuk e përmend është se ky segment u filmua brenda shtëpisë së Jeffrey Epstein në New York.

Ky zbulim erdhi si pjesë e një analize më të gjerë nga CNN mbi praninë e Blaine në dosjet e Departamentit të Drejtësisë për Epstein. Dokumentet tregojnë se dy burrat shkëmbyen dhjetëra mesazhe, zhvilluan shumë telefonata dhe planifikuan takime. Blaine nuk ishte i vetmi magjistar i njohur i përfshirë, edhe David Copperfield shfaqet në foto dhe mesazhe, dhe miqësia e tij me Epstein u shqyrtua nga hetuesit federalë, përcjell A2CNN.

CNN konfirmoi se pjesa e performancës me ujë dhe peshq u filmua në shtëpinë e Epstein duke krahasuar pamjet me fotografi të brendshme të rezidencës së tij, dekorime të veçanta si statuja bronzi, mbajtëse qirinjsh dhe mobilje përputheshin me ambientin ku ndodheshin Blaine dhe Allen.

Dosjet tregojnë se në prill 2013, Epstein i dërgoi email gruas së Allen, Soon-Yi Previn, duke i thënë se Blaine “donte të bënte trukun me peshq për Woody dhe ta filmonte”. Më vonë atë vit, ndihmësja e Epstein, Lesley Groff, kujtoi se Blaine donte të kthehej për të “përfunduar xhirimet me Woody Allen”.

Korrespondenca mes Epstein dhe Blaine daton kryesisht nga vitet 2012–2016, disa vite pas dënimit të Epstein në 2008 në Florida për përfshirje në prostitucion me një të mitur. Ka gjithashtu referenca për pjesëmarrjen e Blaine në darka në shtëpinë e Epstein që nga viti 2003.

Dokumente të FBI-së tregojnë se disa gra u thanë autoriteteve se kishin njohur Epstein përmes Blaine ose anasjelltas, kur ishin më të reja. Megjithatë, as Blaine dhe as Copperfield nuk janë akuzuar për ndonjë shkelje penale në lidhje me Epstein.

Korrespondenca sugjeron një marrëdhënie të ndërsjellë përfitimi mes Blaine dhe Epstein, me të dy që përfitonin nga kontaktet në botën e argëtimit, politikës dhe biznesit. Epstein shpesh e ftonte Blaine në evente me figura të njohura si Bill Gates.

Në disa raste, Epstein përpiqej ta lidhte Blaine me figura politike, madje duke e pyetur nëse kishte interes të vizitonte Shtëpinë e Bardhë. Në mesazhe të tjera, ai përmendte praninë e “vajzave”, pa qenë e qartë mosha e tyre.

Në dosje përfshihen edhe intervista të FBI-së nga viti 2019, ku gra të ndryshme tregojnë se kishin takuar Blaine në evente të organizuara nga Epstein ose se ai i kishte prezantuar me të. Një dëshmitare tha se pas prezantimit nga Blaine, ajo pati dhjetëra ndërveprime me Epstein.

Në vitin 2015, Blaine madje shkroi një letër rekomandimi për një vizë amerikane për një grua, me kërkesë të Epstein.

Në vitin 2017, Blaine u përball me një akuzë për përdhunim nga një ish-modele në Londër, e cila më vonë u mbyll nga autoritetet britanike. Ai i mohoi akuzat. Kontabilisti i Epstein, Richard Kahn, i dërgoi një artikull për këtë rast, duke komentuar: “Botë e çmendur...”.

Më pak se dy javë më vonë, Epstein i shkroi Blaine: “Jam këtu nëse ke nevojë për ndonjë gjë.” Nuk dihet nëse Blaine iu përgjigj këtij mesazhi. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos