Lidhjet e Epstein me Trump, Kongresi mbështet publikimin e dosjes me votim gati unanim

Nga Rosalba Bejdo
19 Nëntor 2025, 15:07 | Bota

Lidhjet e Epstein me Trump, Kongresi mbështet publikimin e dosjes me votim

Fillimisht në Dhomën e Përfaqësuesve... Pastaj me konsensus unanim në Senat... Kongresi i dha dritën jeshile me votim thuajse unanim projektligjit që i kërkon Departamentit të Drejtësisë të publikojë dosjen e lidhur me abuzuesin seksual Jeffrey Esptein.

Ligjëvënësi republikan i Luizianës, Clay Higgins ishte i vetmi që votoi kundër në Dhomën e Përfaqësuesve duke thënë se projektligji ishte i shkruar në atë mënyrë që mund të dëmtonte njerëzit e pafajshëm.

Shumë prej të mbijetuarve të ish-financierit të vrarë nuk janë dakord: “Ne u viktimizuam si fëmijë dhe u braktisëm vazhdimisht nga vetë sistemi që supozohej të na mbronte. Kjo është arsyeja pse qëndrojmë këtu sot, për të kërkuar drejtësi dhe llogaridhënie, jo vetëm për Epstein dhe krimet e tij, por për çdo grabitqar dhe çdo njeri që merr pjesë ose mbron abuzuesit”.

Ligjëvënësja republikane Marjorie Taylor Greene iu bashkua të mbijetuarve të martën dhe hodhi poshtë sulmet e Presidentit amerikan, i cili e quajti një tradhtare për mbështetjen e publikimit të dosjes Epstein, shkruan A2.

“Dua të shoh çdo emër të publikuar në mënyrë që këto gra të mos jetojnë në frikë dhe kërcënime, diçka që e kam provuar pak vetëm në ditët e fundit”, deklaroi Taylor Greene.

Zhvillimi vjen disa ditë pasi Presidenti amerikan ndryshoi qëndrim duke i kërkuar Kongresit të votojë për publikimin e dosjes, pas kritikave nga shumë prej mbështetësve të tij. Javën e kaluar, Trump dhe lidhjet e tij me Epstein pushtuan titujt mediatik, pasi emri i tij përmendej mes 20 mijë faqeve të publikuara nga dosja.

Por, Presidenti republikan thotë se nuk ka asgjë për të fshehur, madje përpiqet të devijojë vëmendjen duke kërkuar hetim për lidhjet e demokratëve me ish-financierin e vetëvrarë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos